Basha: Shqipëria të mbështesë Kosovën, Rama me ”Open Balkan” pranon ambicien e Vuçiçit për ”botën serbe”
Akuza pas akuze, kreu i PD-së Lulzim Basha nga salla e Kuvendit i ka bërë thirrje kryeministrit Edi Rama që të heq dorë nga Serbia, dhe të mbështesë Kosovën.
”Ti ke prioritet iniciativën e Novi Sadit e cilat mbahet mend veç për sulmet që ti i bën lidershipit të Kosovës, sa herë mblidheni për resmen e rastit, dhe për turpin tënd edhe kur në krah keni iniciatorën e Procesit të Berlinit siç ndodhi 2 ditë më parë.
Pas çdo resme që Vuçiç bën me ju, maskohet ambicia e tij për atë që ai e quan “bota serbe”, fshihet spastrimi etnik i luginës së Preshevës përmes pasivizimit të adresave, privimi që iu bën shqiptarëve të tre komunave, Preshevës, Medvegjës e Bujanocit të së drejtës për t’u punësuar e zhvilluar ekonomikisht, fshihen ambiciet për të kontrolluar dhe tollovitur Malin e Zi. Bashkëpunimi rajonal nuk mundet kurrë të nisë nga Novi Sadi, por nga Mitrovica, shqetësimi ynë duhet të jenë shqiptarët e Luginës së Preshevës, siç janë për Vuçiçin ato të serbëve të Kosovës.
Marrëdhëniet ndërshtetërore dhe fqinjësia e mirë ngrihen mbi baza proporcionaliteti dhe jo vasaliteti. Në këto procese Shqipëria ka vetëm një detyrë, të mbështesë Kosovën, sepse për Shqipërinë nuk mund të jetë e mirë ajo që nuk është e mirë për Kosovën”,-tha Basha.