Basha: Unë jam nip Kosove. Për Shtëpinë e Verdhë sot flet vetëm Rusia dhe Rama
Kreu i PD-së, Lulzim Basha u është përgjigjur sot në emisionin “Real Story” akuzave të kryeministrit Edi Rama për rolin e tij në strukturat e UMNIK, pas luftës së Kosovës.
Basha tha se çështja e Shtëpisë së Verdhë kur pretendohej se kryheshin transplante të robërve të luftës është rrëzuar nga hetimet dhe sot askush nuk flet për këtë veç Edi Ramës dhe Ministrisë së Jashtme të Rusisë.
“Aktorët kryesorë të masakrave të Millosheviçit në vitet 90 janë sot figura qëndrore në Beograd. Nuk janë dënuar. Me Kosovën nuk është bërë drejtësi. Raporti i Dick Marty u provua fals nga të gjitha hetimet e prokurorëve të Hagës. As Carla Del Ponte dhe as Dick Marty nuk flasin më për këtë. Sot vetëm Edi Rama dhe Ministria e Jashtme e Rusisë flasin për këtë”,- tha Basha.
Kreu i PD-së tha se akuzat që po i bëhen këto ditë nga Edi Rama janë të ulëta dhe dëmtojnë interesat kombëtare. “Këto akuza dëmtojnë Kosovën. Mua nuk më shqetësojnë akuzat e Edi Ramës, por kjo është koha më ulët për të bërë këto akuza ndaj Kosovës. Unë jam nip Kosove. Gjyshi im është nga Likovci i Drenicës dhe është larguar nga masakrat serbe bashkë me djemtë e Shaban Polluzhës”,- tha Basha.