“Bashkim me Shqipërinë”, Vuçiç: Haradinaj i rrezikshëm!. Reagon ish-kryeministri: Mos kini frikë e mos u bëni nervozë, njihni Kosovën!
“Haradinaj është njeri i rrezikshëm dhe ‘Shqipëria e Madhe’ do të ishte një kërcënim për të gjithë”, ka thënë presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, në një reagim ndaj deklaratës së ish-kryeministrit dhe kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
Vuçiç tha se për deklaratën e Haradinajt mbi mundësinë e një referendumi për bashkimin të Kosovës me Shqipërinë, Serbia do ta ketë “një përgjigje adekuate”, ndërsa shtoi se “kërcënimet nuk duhet të kthehen me kërcënime”.
“Përgjigjja ime është – ju e bëni punën tuaj, çfarëdo që dëshironi, dhe ne do të kemi një përgjigje të mirë dhe adekuate, dhe qytetarët nuk duhet të shqetësohen”, tha Vuçiç.
Ai tha se do të dëshironte të dëgjonte më shumë reagime nga Washingtoni, Brukseli dhe qendrat e tjera të fuqisë në botë lidhur me deklaratën e Haradinajt.
Siç tha ai, “Zoti na ruajt që dikush nga pala jonë të flasë për nodnjë lloj tjetër të bashkimit në Ballkan…jo vetëm që do të na vendosnin sanksione, por ata gati do të na bombardonin”.
Vuçiç tha se Serbia nuk është një “rrjedhë e cekët” në mënyrë që të gjithë ta kalojnë atë me lehtësi.
Ai tha se “Haradinaj është një njeri i rrezikshëm dhe një politikan serioz që lutet të bëhet presidenti i ri i të ashtuquajturës Kosovë”. Vuçiç tha më tej se “nëse ai do të zgjidhej me mbështetjen e Albin Kurtit, atëherë ata do të kishin një qeveri të Kosovës dhe një të ashtuquajtur president që mbron bashkimin me Shqipërinë”.
Vuçiç shtoi se ky është një “fakt politik” dhe kjo është arsyeja pse ai nuk e kuptoi entuziazmin e disa njerëzve në Beograd me një “plejadë të tillë forcash në Prishtinë”. “Ne e pranojmë atë si një fakt politik dhe gjithmonë do të reagojmë ndaj tij”, shtoi Vuçiç.
Ndërkohë duke reaguar ndaj Vuçiç, Haradinaj i kërkoi të mos bëhet nervoz dhe mos të ketë frikë dhe se mënyra më e mirë për të shmangur bashkimin është njohja e Kosovës.
Haradinaj përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se për sa kohë Vuçiçit i dukem i rrezikshëm jemi në rrugë të drejtë.
“Për sa kohë i dukem i rrezikshëm Aleksandër Vuçiqit dhe Serbisë, jemi në rrugë të drejtë!
Mos keni frikë, z. Vuçiq. Nuk keni nevojë të jeni nervoz. Kosova vetëm po e kërkon atë që i takon.
Nëse ju dhe të tjerët dëshironi ta shmangni një referendum mbi bashkimin e Kosovës me Shqipërinë në vitin 2025, ka një mënyrë shumë të thjeshtë: Serbia ta njohë Kosovën si shtet të pavarur.
Tutje, Kosova e di rrugën e saj drejt anëtarësimit në NATO, BE dhe OKB. Me retorikë histerike nuk do të na ndaloni në të drejten tonë për të definuar të ardhmen e Kosovës.
Të gjithë duhet ta dinë që deklarata dhe betimi im për bashkim me Shqipërinë vjen si rezultat i neglizhencës së vazhdueshme të Brukselit në lidhje me Kosovën. Kosova dhe qytetarët e saj janë më pro-perëndimorët dhe si të tillë nuk e meritojnë të përbuzen, injorohen dhe kushtëzohen në pafundësi”, shkruan Haradinaj.