Bashkimi kombëtar? Pandeli Majko: Kurti të mendojë për drejtimin e Kosovës
Deklarata e Albin Kurtit se do të votonte pro nëse do të mbahej një referendum për bashkimin Kosovë-Shqipëri, për ministrin e Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko është një histori që duhet mbyllur dhe se tani prioritet për Vetëvendosjen dhe liderin e saj duhet të jetë drejtimi i Kosovës.
“Unë mendoj se z.Kurti ka vetëm një prioritet, të drejtojë si shtetar dhe kryeministër shtetin e Kosovës, nuk besoj se i bëjnë punë histori të natyrave të tilla. Nuk ka pres krijon lidhje të natyrave të çuditshme me ide që kanë ekzistuar në shekullin e kaluar, e kam fjalën në vitet ’80 dhe ’90 për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, jo se unë nga pikëpamja emocionale ndihem ndryshe nga z. Kurti, por unë mendoj se diskutimeve të natyrave të tilla, do të krijonin probleme me aktet ndërkombëtare që garantojnë stabilitetin e Kosovës, e kam fjalën për akte që garantojnë prezencën e NATO-s në Kosovë dhe paketën Ahtisari. Ndërkaq më e rëndësishme një kryeministër nuk mund të aludojë për statuse të ndryshme nga shteti që ai do të drejtojë sepse Kosova është duke u njohur nga shtete të tjera”, deklaroi ish-kryeministri.
Nga ana tjetër, Majko i bëri thirrje Albin Kurtit që duhet të fokusohet tek forcimi i shtetit të Kosovës dhe të mos nxisë hapjen e diskutimeve të tilla pasi do të ndikojë negativisht për njohjet e reja ndërkombëtare.