Bashkurti: Politika në Kosovë të bashkohet, instrumentalizimi nga Shqipëria shumë i gabuar
Profesori Lisen Bashkurti, në një intervistë për Ora News, u shpreh se politika në Kosovës, pas aktakuzave të Speciales, duhet të gjejë gjuhën e kompromisit.
Ai tha se një luftë politike në Kosovë do të vinte në rrezik institucionet e vendit.
Lisen Bashkurti: Zgjidhja e parë që doja të sugjeroja, do të ishte ajo e kompromisit politik. Palët politike, të mund të gjejnë një gjuhë të përbashkët për të kompromis dhe të plotësojnë vendet vakante në detyrë. Një luftë politike në Kosovë do të vinte në rrezik institucionet e vendit.
Kosova ka dy vite që ka kaluar një krizë të fortë politike. Pandemia ka dhënë një goditje shumë të madhe në Kosovë. Kjo ka rënduar akoma edhe më shumë situatën në vend. Këtyre problemeve u shtohen edhe akuzat e Speciales kundrejt gjithë drejtuesve të vendit.
Bashkurti shtoi se është diçka e gabuar instrumentalizimi i çështjes edhe nga politika në Shqipëri, pasi kështu dëmtohen të dyja vendet.
Lisen Bashkurti: Për mua është një rrugë e padrejtë instrumentalizimi i çështjes edhe nga politika në Shqipëri. Gjykata Speciale është një gjykatë shumë profesionale dhe duhet pasur besim te drejtësia ndërkombëtare. Instrumentalizimi që vjen nga Shqipëria është shumë i gabuar. Vendi ynë është një i helmatisur politikisht. Kjo e mban situatën politike të tensionuar.
Nëse futet tek ky tension edhe çështje e Kosovës do të ishte një gabim shumë i madh dhe do të kishim një përkeqësim të situatës në të dyja vendet. Jemi në prag fushate dhe është e vështirë që të ruhet distanca, por këtu duket statizmi i politikës, ku bëhet ndarja e çështjeve të tilla. Duket sikur politika jonë do ta përdorë për qëllime të veta këtë çështje.