Baton Haxhiu: Kosova do të gjendet në ditët e saj më të errëta. Kam informacion, Hoti nuk do të shkojë në SHBA

Gazetari Baton Haxhiu u shpreh në emisionin “Opinion”, se Kosova do të gjendet në ditët e saj më të errëta. Duke e cilësuar aktakuzën e  Prokurorisë Speciale ndaj Thaçit si një konspiracion politik, Haxhiu tha se këtu hyn përplasja evropiane dhe e administratës Trump.

“Ky është konspiracion politik ekskluziv, kundër Shtëpisë së Bardhë, kundër paqes dhe kundër asaj që duhej të ndodhte.  Shikoni  fjalinë e fundit: “Prokurori i Specializuar e gjykon të domosdoshëm nxjerrjen e këtij njoftimi publik për akuzat, për shkak të përpjekjeve të përsëritura të Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit për pengimin dhe sabotimin e punës së DHSK-së”. Gjykata është vendore, e bërë nga parlamenti i Kosovës dhe njoftimi thotë se zoti Thaçi e Veseli kanë vënë interesat vetjake, mbi sundimin viktimat e krimeve të tyre, sundimit të ligjit dhe popullit të Kosovës. Dmth këta i shpall armik.

Një gjykatë që është vendore nuk guxon të bëjë kësi gabimesh. Prokurori është i Kosovës nuk është ndërkombëtar. Në aktakuzë pretendohet se Thaçi, Veseli etj., janë personalisht përgjegjës për 100 vrasje. Pse nuk janë 200? Pse nuk janë 150? Nëse bën aktakuzë është logjike që vrasjet duhet të konfirmohen. Nuk mundesh më thënë 100 vrasje. Ky është njoftim për shtyp, prandaj është konspiracion. Në momentin kur thuhet kjo, është bërë për të prishur takimin. Esenca është se Kosova do të gjindet në ditët e saj më të errëta pas kësaj që ka ndodh. Se këtu hyn përplasja evropiane dhe e administratës Trump (nuk po them amerikane), deri në eshtra. Më keq se kaq nuk mund të bëhet”, tha Haxhiu.

Takimi Kosovë-Serbi

Pas akuzave të ngritura nga Prokuroria Speciale ndaj Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi ky i fundit ka vendosur të anulojë pjesëmarrjen në takimin e datës 27 Qershor në Uashington me presidentin serb Vuçiç. Pas këtij vendimi, në media u tha se Kosova do të përfaqësohet në këtë takim me Kryeministrin Hoti.

Por në një dalje në emisionin “Opinion”, gazetari Baton Haxhiu tha se ka informacione që kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti nuk do të shkojë në këtë takim, çfarë lë të dyshohet që takimi do të anulohet.

“Ai është nisur dhe është në një prej qyteteve evropiane, por problemi kryesor është që  dyshoj se zoti Hoti mund të jetë atje, për disa arsye. E para nënshkrimi i disa marrëveshjeve është i kategorizuar i tillë, pasi nuk mund ta nënshkruajë Kryeministri. I pari është Parlamenti, fuqia e dytë është Presidenti dhe pastaj është Kryeministri. Kryeministri mund të nënshkruajë gjëra më të thjeshta, por jo kaq të rëndësishme sa marrëveshja e datës 27. Dyshoj që ka guxim në kuptimin politik dhe se duhet të shkoj zoti Hoti.

Fevziu: E ke informacion apo analizë?

Haxhiu: E kam informacion.

Fevziu: Që ndoshta edhe Hoti mund të mos shkojë? Pra takimi pas 48 orëve rrezikon të dështojë?

Haxhiu: Momentalisht qëndrimi është që të mos shkojë, por mund të ndryshojë  nga presionet.

/Opinion.al

SHKARKO APP