BE kërkon zgjidhje për murin në Mitrovicë

Bashkimi Europian po kërkon zgjidhje me palët për çështjen e murit në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës.

Bisedat për shtensionimin e situatës në qytet u bë me dije se nisën pas fillimit të ndërtimit të një muri në pjesën veriore të qytetit, pikërisht në kohën kur po afrohej përfundimi i procesit të revitalizimit të urës mbi lumin Ibër, sipas një marrëveshjeje të arritur ndërmjet palëve.

“Atë që mund ta them është se ne jemi në kontakt me të gjithë faktorët relevantë dhe ne po provojmë që të gjejmë një zgjidhje të qëndrueshme”, tha Dinka Zhival, zëdhënëse e Zyrës së BE-së në Prishtinë.

Ndërkohë, gjatë ditës, kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka takuar anëtarët e Grupit punues të Qeverisë së Kosovës për bisedimet me Qeverinë e Serbisë në Bruksel, Arben Çitaku, sekretar i përhershëm i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Rashid Qalaj, drejtor i Operativës në Policinë e Kosovës. Së bashku, palët biseduan për situatën e krijuar pas ndërtimit të murit në pjesën veriore të qytetit. Ata u kanë thirrje qytetarëve të të gjitha komuniteteve që të ruajnë qetësinë.

SHKARKO APP