BE mirëpret qëndrimin e Kurtit për tarifat
Bashkimi Evropian ka mirëpritur qëndrimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për të hequr tarifat për importin e lëndëve të para nga Serbia dhe nga Bosnja dhe Hercegovina. Peter Stano, zëdhënës i Përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, përmes një komunikate ka thënë se “ky hap mund të ketë një efekt pozitiv në rivendosjen e tregtisë rajonale dhe të ofrojë një hapje për rifillimin e dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës të lehtësuar nga Bashkimi Evropian”.
Qëndrimi i Bashkimit Evropian është i kundërt me atë të Shteteve të Bashkuara, pasi i dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell në një postim në Twitter, ka shkruar se “nuk i mbështetë masat gjysmake të kryeministrit Kurti”.
“Pozicioni ynë është mjaft i qartë: tarifat duhet të hiqen plotësisht. Kurti është duke bërë një gabim serioz dhe kjo i është bërë sot e qartë presidentin Hashim Thaçi në Shtëpinë e Bardhë”, ka shkruar Grenell. Në një konferencë për media të mbajtur të enjten, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se fillimi i heqjes së tarifës, nisur me atë për lëndën e parë, “është një shenjë e vullnetit të mirë”.
“Është shenjë e gatishmërisë sonë për fillim të zgjidhjes së mirëfilltë të mosmarrëveshjeve ekonomike, tregtare dhe politike me Serbinë”, ka thënë Kurti. Ai u ka bërë ftesë autoriteteve të Serbisë që si përgjigje ndaj vendimit të palës së Kosovës, të zotohen se do ta ndërpresin fushatën për çnjohjen e pavarësisë së Kosovës, si dhe të nisin me eliminimin e barrierave tregtare jotarifore ndaj Kosovës.