BE pas Brexit; Samiti i Parisit, Hollande pret kryeministrat e Ballkanit

Emigracioni, çështjet e sigurisë – përfshirë këtu luftën kundër ekstremizmit, – punësimi, rritja ekonomike dhe bashkëpunimi mes të rinjve, do të jenë çështjet që do të diskutohen në Samitin e Parisit, i cili vjen në kuadër të “Procesit të Berlinit”, një nismë e ndërmarrë 3 vite më parë nga Kancelarja gjermane, Angela Merkel.

Një proces, i cili kërkon të afrojë sa më shumë vendet e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian, duke stimuluar bashkëpunimin mes vendeve, por edhe duke financuar projekte konkrete në infrastrukturë.

Por këtë herë, ky samit vjen në një kohë kur BE-ja është duke u përballur me problemet e saj të brendshme, pas referendumit për daljen e Britanisë nga unioni. E duket se ky zhvillim do të ketë ndikim edhe në tryezën e Parisit.

Megjithatë, ndryshe nga dy samitet e mëparshme, këtë herë fokusi është vendosur më së shumti te bashkëpunimi i të rinjve, pa lënë mënjanë edhe investimet në infrastrukturë.

Në Paris do të nënshkruhet marrëveshja për themelimin e Zyrës Rajonale të Bashkëpunimit Rinor, nismë kjo e kryeministrit të Shqipërisë dhe atij të Serbisë. Ajo do të ketë selinë në Tiranë dhe Komisioni Europian do të japë një milion euro, ndërsa do të paraqitet edhe skema e re pilote për 5 nëpunës civilë të rinj nga çdo vend i Ballkanit Perëndimor.

I pranishëm në këtë samit, Komisioneri i Zgjerimit Johannes Hahn pritet të zhvillojë një takim me 6 ministrat e Jashtëm të rajonit, ku ndër të tjera do të diskutojë edhe veprimet konkrete të ndërmarra për zgjerimin e Bashkimit Europian.

Duke u ndalur tek investimet, pritet që në Paris të miratohen 3 projekte gjithsej, ndër të cilat ato tonat për rehabilitimin e hekurudhës Tiranë-Durrës dhe ndërtimin e segmentit Tiranë-Rinas. Po ashtu edhe projekti hekurudhor i Serbisë dhe ai i Kosovës.

SHKARKO APP