BE, refuzim masiv për azil ndaj kosovarëve
Një numër i qytetarëve të Kosovës të dielën në mbrëmje janë nisur me autobusë nga Stacioni i Autobusëve në Prishtinë, në drejtim të Serbisë, me shpresën për të depërtuar në disa vende të Bashkimit Evropian.
Zyrtarë qeveritarë dhe analistë thonë se numri i madh i azilkërkuesve në vendet e Bashkimit Evropian do të vështirësojë edhe më shumë çështjen e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.
Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka thënë se në BE, sistemi i azilit ekziston për ata njerëz që largohen nga persekutimi ose dëmtimi i rëndë në vendin e tyre dhe, për pasojë, kanë nevojë për mbrojtje ndërkombëtare.
“Në rastin e Kosovës, nuk ka pothuajse asnjë shans që kërkesat për azil të pranohen. Çdo vendim për të ofruar azil ose jo, është individual, por duhet theksuar se shumica e kërkesave për azil nga Kosova refuzohen dhe njerëzit riatdhesohen”, thuhet në një deklaratë me shkrim të Zyrës së BE-së në Prishtinë, dërguar Radios Evropa e Lirë.
Duke komentuar valën e fundit të migrimit ilegal nga Kosova, Zyra e BE-së po ashtu ka thënë se “kosovarët rrezikojnë të bëjnë shpenzime të konsiderueshme, vetëm për t’u rikthyer në Kosovë”.
Sa i përket dialogut për liberalizimin e vizave, përfaqësia e Bashkimit Evropian ka thënë se nuk është në interes të Kosovës “nëse numri i kërkesave për azil në BE, nga shtetas kosovarë, vazhdon të rritet”.
Zyrtarë të Ministrisë së Integrimit Evropian në Kosovë, por edhe njohës të fushës kanë shprehur po ashtu shqetësimet e tyre për ndikimin e këtij problemi në procesin e liberalizimit të vizave.
Në të njëjtën kohë, ata kanë thënë se pa zhvillim ekonomik të Kosovës, migrimi do të jetë vështirë të ndalet.
Ministria e Punëve të Brendshme në Kosovë nuk ka ende ndonjë të dhënë zyrtare për migrimet e qytetarëve të Kosovës këtë vit.