Behgjet Pacolli me Ilir Metën: Ramush Haradinaj do kthehet shpejt në Kosovë
Ish-Presidenti i Kosovës dhe Kryetar i Partisë Politike Aleanca Kosova e Re, biznesmeni më i njohur në trojet shqiptare, dhe me tej, Behgjet Pacolli ka publikuar detaje nga takimi i zhvilluar dje me Kreun e Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta.
Kreu i Kuvendit të Shqipërisë zhvilloi një vizitë në Prishtinë. Temë kryesore e takimeve të kreut të Kuvendit ishte diskutimi mes faktorëve politikë në Shqipëri dhe Kosovë për situatën e krijuar pas arrestimit në Francë të ish-kryeministrit Ramush Haradinaj.
Në shënimin e postuar në Facebook, politikani dhe biznesmeni i njohur Behgjet Pacolli shprehet se me Kreun e Kuvendit të Shqipërisë, mes të tjerave biseduan dhe për ish-kryeministrin Ramush Haradinaj. “Haradinaj do të kthehet shpejt në Kosovë, por udhëheqësit e institucioneve duhet të mbledhin mend dhe urgjentisht duhet të vlerësojnë qasjen ndaj bisedimeve”,- shkruan Pacolli.
Më poshtë postimi i plotë në Facebook:
“Me Ilir Metën…
Mbrëmë kisha nderin të mirëpres kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë z. Ilir Meta me të cilin ndër të tjera biseduam për ish kryeministrin e Kosovës z. Ramush Haradinaj dhe ndalimin e tij.
Haradinaj do të kthehet shpejt në Kosovë, por udhëheqësit e institucioneve duhet të mbledhin mend dhe urgjentisht duhet të vlerësojnë qasjen ndaj bisedimeve.
Në anën tjetër, më shqetësim po i shoh disa “prononcime” që e hutojnë dhe e orientojnë opinionin publik kundër Francës.
Franca bashkë me SHBA-të, Britaninë, Gjermaninë dhe Italinë janë ndër mbështetësit më të fuqishëm të pavarësisë së Kosovës dhe miqësia jonë me këtë shtet është shumë e qëndrueshme.
Jam i bindur qe Franca është duke punuar në mënyrë intensive për lirimin e Ramushit edhe pse politika dhe gjyqësija në këtë shtet janë të ndara”.
https://www.facebook.com/behgjeti/photos/a.320390645152.341768.307617160152/10157998449620153/?type=3&theater