Beogradi i kërkon Kosovës të mos e prek Trepçën – Lista “Srpska” paralajmëron largim nga Qeveria

“Porosia jonë për Isa Mustafën e Hashim Thaçin është kjo – mos prekni atë që është e jona”.

Kështu ka deklaruar sot shefi i zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq në konferencën me gazetarë të mbajtur në Qeverinë e Serbisë pas njoftimit të Qeverisë së Kosovës për kthim të “Trepçës” në pronësi të qeverisë.

Ai ka thënë se Beogradi është i interesuar gjithmonë që të gjitha problemet të zgjidhen me dialog, dhe pret që bashkësia ndërkombëtare të ndërhyjë në këtë çështje.

Gjuriq ka thënë se veprime të tilla të njëanshme të Prishtinës mund të ndikojnë në përkeqësim të asaj që është arritur deri më tani në Bruksel mes Beogradit dhe Prishtinës.

Sipas tij, siç transmeton Koha.net, imponimi i zgjidhjeve të njëanshme mund të hap Kutinë e Pandorës, dhe të dërgojë mesazhin se, edhe pas dy vjet bisedimesh, nuk jemi aspak afër asaj që e dëshirojmë – stabilitetin dhe sigurinë.

Ministri serb, Aleksandër Vulin, nga ana tjetër, ka thënë se sindikatat e punëtorëve të minierës së “Trepçës” i kanë thënë atij se janë të gatshëm që nga nesër të nisin protestat.

Sipas fjalëve të tij, veprime të këtilla të njëanshme mund të përkeqësojnë stabilitetin në Kosovë.

Ndërkaq, ministri serb në qeverinë e Kosovës, Lubomir Mariq, u ka thënë gazetarëve se të katër kryetarët e komunave serbe në veri të Kosovës janë të gatshëm të ndërpresin çdo kontakt me institucionet në Prishtinë, nëse vazhdohet me veprime të këtilla të njëanshme, sikurse që kanë paralajmëruar edhe protesta paqësore, raporton Koha.net.

Ministri i Ekonomisë në qeverinë e Serbisë, Zhelko Sertiq, ka thënë se Qeveria e Serbisë, përderisa qeveria e Kosovës nuk e tërheq prapa vendimin e saj, do të nis procesin e privatizimit të “Trepçës”.

Zëvendëskryeministri i Kosovës nga Lista Serbe, Branimir Stojanoviq, i pranishëm në këtë konferencë për media në Beograd, ka thënë se, nëse Prishtina vazhdon me marrjen e vendimeve pa pjesëmarrjen e përfaqësuesve serbë, vazhdimi i qëndrimit tonë në qeveri nuk ka kuptim.

SHKARKO APP