Berat Buzhala: Dështova të integrohem në strukturat e PDK-së
Në këtë intervistë për “Epokën e re”, ai i ka quajtur strukturat e këtij subjekti politik të pareformuara dhe të pareformueshme. “Arsyeja kryesore është kjo: Dështimi im total për t’u integruar në strukturat e PDK-së. Nuk kisha probleme me elektoratin e PDK-së, por kisha probleme me strukturat thellësisht të pareformuara dhe të pareformueshme të këtij subjekti politik”, ka thënë Buzhala.
Ai e ka kritikuar mënyrën e menaxhimit të PDK-së, duke thënë se lidershipi i kësaj partie, për hir të disa votave, asnjëherë nuk ka arritur ta marrë guximin të bëjë ndryshime të brendshme. Sipas tij, ky lidership lehtësisht gradonte njerëzit në pozita brendapartiake dhe blinte paqe me strukturat, duke shpërndarë poste qeveritare. “Isha tepër i shqetësuar me mënyrën se me sa sportivitet udhëheqësit e partisë e merrnin këtë degradim brenda partiak, sidomos që ata vazhdimisht blinin paqe me strukturat, duke shpërndarë poste qeveritare personave të ndryshëm të degëve dhe nëndegëve, që sa iu përket njohurive të tyre për qeverinë, ata e njihnin vetëm objektin qeveritar, jo edhe punët”, është shprehur ai.
Buzhala ka pranuar se kishte pandehur gabimisht kur kishte vendosur të hynte në politikë se mund të bëhen ndryshime duke qenë brenda, e jo duke kritikuar jashtë. “Ndoshta më irrituan pritjet e mia të tepërta për politikën dhe PDK-në. Kisha pandehur gabimisht se mund të bëhen ndryshime duke qenë brenda, e jo duke kritikuar jashtë. Por, gabova. Edhe duke qenë brenda, para hundeve të mia, arriti të instalohej si nënkryetare e PDK-së, Margarita Kadriu, e cila nuk shquhet për asgjë, përveç shantazheve që realizon me gazetën e saj ndaj bizneseve, ose ndaj politikanëve. Pra, pse duhet të jam edhe unë pjesë e një strukture të tillë?”, ka thënë ai. Ai ka mohuar se do t’i bashkohet ndonjë subjekti tjetër politik, duke shtuar se miqësitë që ka me liderët e partive të tjera kurrsesi nuk do të kthehen në aleanca politike.