Berat Buzhala: Njerëzit e ekranit bëjnë tradhëti e marrin narkotikë
“Në Shqipëri njerëzit publikë kanë bërë marrëveshje me njëri-tjetrin për të heshtur e për të mos treguar atë që bëjnë realisht”. Kështu ka ngacmuar Berat Buzhala, gjatë një interviste dhënë në emisionin Oktapod të Turjan Hyskës. Drejtuesi i gazetës online “Express”, thotë se është e pamundur që asnjë nga figurat e politikës, ose ekranit, të mos ketë bërë asnjë mëkat, ndaj egziston kjo marrëveshje e fshehtë. Sipas Buzhalës, dihet nga të gjithë që bota e spektakleve, e mediave në përgjithësi, i ka të gjitha brenda, edhe lëndët narkotike, edhe tradhëtitë bashkëshortore edhe mëkate të tjera. Për Berat Buzhalën shoqëria shqiptare ka nevojë të flasë, të shprehë edhe këto fenomene e jo të heshtë. Lidhur me situatën politike në Kosovë, ish-deputeti i PDK thotë se do të cuditej shumë nëse Hashim Thaci do të zgjidhej president, për sa kohë që për të ka dyshime për trafikun njerëzor dhe krimet e luftës. Buzhala shprehet se Vetvendosja nuk iu duhet në pushtet kosovarëve, pasi është forcë radikale dhe anti-perëndimore. Përsa i përket mardhënieve Shqipëri-Kosovë, Berat Buzhala thotë se Kosova e do më shumë Shqipërinë, sesa e do Shqipëria Kosovën.