Berisha: Në Kuvendin e Kosovës ndodhet një nga Lista Serbe, i akuzuar për vrasjen e 26 djemve në Mitrovicë
I ftuar në RTV Ora, diplomati Mal Berisha, tha se Në sallën e parlamentit të Kosovës ndodhet një emër nga Lista Serbe, i cili është mbajtur një vit e gjysmë në burg për vrasjen e 26 djemve në Mitrovicë.
Ai u shpreh se uron që Thaçi të dalë i pafajshëm që të mos implikojë veten dhe UÇK-në.
Mal Berisha: Uroj që Thaçi të dalë i pafajshëm që të mos implikojë veten dhe UÇK-në. Në psikologjinë e tij personale, duhet të kishte diçka nga vetëdija e tij në lidhje me dhënien e dorëheqjen. Nëse e di që është i pafajshëm, ka shkuar si president, por nëse e di se nuk është atëherë duhet të kishte dhënë dorëheqjen.
Në sallën e parlamentit të Kosovës ndodhet një emër nga Lista Serbe, i cili është mbajtur një vit e gjysmë në burg për vrasjen e 26 djemve në Mitrovicë dhe është liruar se nuk u vërtetua pjesërisht pjesëmarrja e tij, edhe pse e di gjithë Mitrovica që e ka bërë. Pra, u ngrit një gjykatë ad hoc për të gjykuar krimet e luftës nga ata që nuk kishin rrugë tjetër, veçse të kapnin armët të luftonin për popullin e vet ose të shtrinin qafën dhe sot Kosova do të ishte e shpopulluar dhe i terrorizuar.
Berisha shtoi duke thënë se nuk mund të barazohet viktima me agresorin dhe, viktima të gjykohet para agresorit.
Mal Berisha: Të barazosh viktimën dhe agresorin, e të gjykosh viktimën para agresorit, nuk është drejtësi. Unë nuk mund të them se Thaçi është i pafajshëm, por them që nuk është bërë drejtësi ndaj aty që janë adresuar kundër popullit tonë.
Bashkëpunimi me armikun e shqiptarëve, Aleksandër Vuçiç dhe ndërrimi i territoreve mund ta ketë çuar Thaçin këtu ku është sot. Aventura për ndërrimin e kufijve dhe për një gjasmë marrëveshje që do ta zgjidhje një herë e përgjithmonë çështjen shqiptaro-serbe, duke disbalancuar forcat që janë të interesuar për këtë çështje.
Berisha përfundoi duke thënë se klasa politike në Kosovë duhet t’i lërë mënjanë ambiciet dhe të bashkëpunojë.
Mal Berisha: Sot shqiptarët janë të sfiduar nga historia. Përçarja politike e udhëheqësve të Kosovës është një element që do ta stopojë historinë e këtij vendi. Duhen lënë mënjanë ambiciet politike dhe duhet bashkëpunim.