Bisedimet Kosovë – Serbi vijojnë edhe sot në Bruksel. Delegacioni serb nuk pranon marrëveshjen

Edhe pse shefi i delegacionit të Kosovës për dialog me Serbinë, Besnik Bislimi është kthyer në Kosovë, burimet brenda Bashkimit Evropian, kanë thënë se të enjten do të vazhdojnë diskutimet me delegacionet e Kosovës dhe Serbisë dhe se akoma nuk është arritur ndonjë marrëveshje, ndonëse ka pasur përparim për targat e automjeteve.

Delegacioni serb vazhdon të qëndrojë në Bruksel, ku deri në orët e mbrëmjes të mërkurën ka pasur takime me të Dërguarin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialog, Mirosllav Lajçak.

Bislimi, pas përfundimit të bisedimeve që ka pasur gjatë tërë ditës së mërkurë, ka thënën se është arritur pajtueshmëri për një draft-marrëveshje, e cila do të siguronte uljen e tensioneve dhe një zgjidhje të përkohshme për çështjen e targave.

“Kemi arritur te një draft përfundimtar, i cili është dakorduar pothuajse në tërësi. Ka mbetur vetëm që pala serbe të japë dakordimin final, nëse po, mund të fillojë zbatimi i marrëveshjes shumë shpejt”, ka thënë Bislimi.

Por delegacioni i Serbisë deri të mërkurën vonë nuk e ka pranuar tekstin e marrëveshjes prandaj pritet që diskutimet të vazhdojnë edhe të enjten.

Nga burimet e BE-së është thënë se do të bisedohet edhe me palën kosovare ndërsa në vërejtjen se “ata janë kthyer në Kosovë” janë përgjigjur se “teknologjia e mundëson të bisedohet edhe me ata që nuk janë fizikisht të pranishëm në Bruksel”, duke paralajmëruar se edhe me Besnik Bislimin do të ketë diskutime përmes lidhjes telefonike.

Delegacioni serb udhëhiqet nga drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.

Sipas asaj që është thënë të mërkurën në Bruksel, teksti i draft-marrëveshjes me të cilën është pajtuar pala e Kosovës, parasheh që në një fazë kalimtare prej gjashtë muajsh targat e veturave të mos hiqen dhe ndërrohen, por vetëm të mbulohen me një letër ngjitëse.

Kosova do të tërheqë njësitë speciale të policisë nga pikat kufitare Jarinë dhe Bërnjak ku për një kohë të shkurtër do të vendosen njësitet e KFOR-it, dhe më pas do të hiqen edhe barrikadat që kanë bllokuar rrugët nga serbët lokalë.

Qeveria e Kosovës ka arsyetuar vendosjen e reciprocitetit duke thënë se Serbia për vite të tëra aplikon masë të njëjtë për automjetet me targa të Kosovës.

Sipas vendimit të 20 shtatorit, të gjitha automjetet me targa të Serbisë me të hyrë në Kosovë duhet t’i heqin ato dhe të pajisjen me targa të përkohshme, të lëshuara nga autoritetet e Kosovës.

Për këto targa të përkohshme shoferët duhet të paguajnë pesë euro dhe vlefshmëria e tyre është dy muaj./REL

SHKARKO APP