Biznesmenët serbë: Kemi nevojë për bashkëpunim ekonomik me Kosovën

Mesazhi i afaristëve serbë dhe kosovarë është i qartë: kemi nevojë për një “fillim të ri” në raporte, bazuar në besimin, qasjen pragmatike ndaj realitetit dhe në forcimin e marrëdhënieve ekonomike. Kështu ka thënë presidenti i Odës së Tregtisë së Serbisë, Marko Çadezh në një bisedë për Frankfurter Allgemeine Zeitung, raporton “danas.rs”.

Ai është i bindur se kjo porosi ka arritur te qeveritë në Beograd, Prishtinë, Uashington dhe Bruksel.

FAZ ka konstatuar se Kosova e Serbia nuk pajtohen politikisht, por që odat e ekonomisë bashkëpunojnë ngushtë.

“Kjo në raportet serbo-kosovare paraqet një fije shprese”, thuhet në analizën e gazetës gjermane. Është shkruar se Oda e Kosovës në vitin 2015 është bërë anëtare e Eurochambers, organizatës ombrellë të odave evropiane, me miratimin e theksuar serb.

Kjo është e pamenduar në nivelet tjera, marrë për bazë që Serbia mundohet të pengojë çdo pranim të Kosovës në organizatat ndërkombëtare, shkruan gazeta.

Gazeta gjermane ka kujtuar që Richard Grenell, përfaqësuesi i posaçëm i SHBA-së për bisedat në mes të Kosovës dhe Serbisë, ka sjellë qasje të re – duke i dhënë prioritet ekonomisë para politikës.

Kjo në fillim të vitit ka rezultuar me nënshkrimin e disa letrave që për qëllim kanë vendosjen e trafikut të drejtpërdrejtë hekurudhor dhe ajror midis Beogradit dhe Prishtinës si dhe përfundimin e autostradës nga kryeqendra e Serbisë deri në kryeqendrën e Kosovës.

Çadezh ka vlerësuar se në këtë moment qasja e Grenellit është efikase dhe se është konstruktive që në Beograd dhe Prishtinë ka kërkuar së pari të bisedojë me investitorë dhe njerëz të biznesit.

Sipas FAZ, një qasje të tillë e përkrah edhe Berat Rukiqi, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, që ka paraqitur barrierat me të cilat përballen afaristët kosovarë, të shkaktuara nga shteti serb. Koha.net

SHKARKO APP