Bllokadat e palëvizura në veri, e enjtja kaloi pa incidente

Dy pikat kufitare Kosovë-Serbi në veri të Kosovës, po vazhdojnë të qëndrojnë të bllokuara prej pesë ditësh tashmë. Nata e së enjtes ka kaluar pa incidente, ndërsa Policia e Kosovës po vazhdon të qëndrojë në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak.

Autoritetet e Kosovës, të hënën, më 20 shtator kanë nisur që veturave me targa të Serbisë, që hyjnë në Kosovë, t’iu vënë targa të përkohshme, pasi kanë thënë se të njëjtën gjë Serbia po e bën tash e sa vjet.

Ndonëse asnjë incident i theksuar nuk është regjistruar që nga e hëna, nga autoritetet ndërkombëtare është bërë thirrje për shtensionim të situatës.

Të enjten në mbrëmje ministri serb i Mbrojtjes, Nebojsha Stefanoviç vizitoi forcat ushtarake në Rashkë dhe Novi Pazar, që gjendet në kufi me Kosovën, duke thënë se trupat serbe atje ishin në gatishmëri të lartë.

Stefanoviç u shoqërua nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë serbe, gjenerali, Millan Mojsilloviç.

Disa punonjës të institucioneve serbe, që veprojnë në Kosovë, kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë (REL) se ata janë “të detyruar” që përmes ndërrimeve të kujdesen për bllokimin e vendkalimeve kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak.

Policia e Kosovës ka njoftuar të enjten se qytetarët lokalë në afërsi të pikave kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak – të cilët kanë bllokuar rrugën pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për zbatim të masës së reciprocitetit në targa – kanë përforcuar bllokadat me zhavorr.

Ministria e Punëve të Brendshme e Qeverisë së Kosovës ka njoftuar se prej 20 shtatorit e deri në përfundim të ditës së mërkurë, më 22 shtator, ka lëshuar 6.375 targa të përkohshme në të gjitha Pikat e Kalimit Kufitar (PPK) dhe Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve në tërë territorin e Kosovës.

Sipas njoftimit të Ministrisë, mbi 3.000 targa të përkohshme janë lëshuar në të gjitha vendkalimet kufitare Kosovë – Serbi, ndërkaq, numri më i madh i tyre është lëshuar në vendkalimet kufitare Dheu i Bardhë dhe Merdare.

Çështja e targave është e rregulluar me Marrëveshjen e Brukselit për lëvizjen e lirë, në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku ishte përcaktuar që të gjithë pronarët e veturave që banojnë në Kosovë, duhet të përdorin targat ‘KS’ (Kosovë) ose ‘RKS’ (Republika e Kosovës) dhe kështu t’i hiqnin nga përdorimi targat që për serbët e Kosovës i lëshonte Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë. /REL/

SHKARKO APP