Bojken Abazi: Për Albin Kurtin hapi i radhës është ankesa në Gjykatën Supreme
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka refuzuar të certifikojë Albin Kurtin si kandidat për zgjedhjet e 14 Shkurtit për shkak të problemeve me ligjin, por Lëvizja Vetvendosje nuk dorëzohet. Kryetari i Qendrës së VV në Shqipëri, Bojken Abazi i ftuar në emisionin Përballë tha se vendimi do të ankimohet në gjykatë.
“Hapi i radhës është ankesa në gjykatën supreme. Ju e nisët emisionin me 14 shkurtin që rastis me ditën e zgjedhjeve, po një gjë ka lidhje me dashurinë. Populli e do Lëvizjen Vetvendosje më shumë se kurrë.” – tha Abazi.
Sipas Abazit, refuzimi i Albin Kurtit si kandidat për zgjedhjet në Kosovë është manovër për shkak të përkrahjes masive që ka Vetvendosje nga populli.
“Kjo përkthehet edhe në shifra sidomos ato të Diasporës. Ku 40 mijë veta janë regjistruar në zgjedhjet e fundit ato të 2019, ndërkohë mbi 119 mijë janë regjistruar në këto zgjedhje pra mbi trefishi. Për shkak të kësaj përkrahje masive ka një tentativë, po bëjnë manovra nga më të ndryshmet siç është rasti i vendimit të fundit i institucioneve të kapura në Kosovë“,- tha Abazi në emisionin Përballë.