Bora dhe ngrica, 75 aksidente në Kosovë

Masat me shtypje të ultë atmosferike të cilat e kanë përfshirë pjesën më të madhe të Evropës dhe Gadishullin e Ballkanit, kanë shkaktuar reshje të borës në gjithë Kosovën dhe kanë ndikuar në uljen e temperaturave deri në – 10°C, mëngjesin e hershëm të së hënës, bëhet e ditur në raportin e motit të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës (IHMK).

Gjatë të hënës, priten rreshje të reja bore ndërsa temperaturat më të ulëta do të sillen në mes të -8°C deri -10°C, ndërsa ato maksimale të ditës do të lëvizin nga – 4°C deri -1°C. Sa i përket borës e cila ka rënë gjatë të dielës dhe të hënës në mëngjes, ajo ka shkaktuar vështirësi në trafik, në gjithë territorin e Kosovës.

Në raportin e Policisë së Kosovës, brenda 24 orëve të fundit, thuhet se kanë ndodhur 75 aksidente, prej tyre 12 rezultuan me lëndime kurse 63 të tjera pa lëndime, por me dëme materiale. Në bazë të informacioneve zyrtare, nga të gjitha drejtoritë rajonale policore të Kosovës, përkundër të reshurave të borës, rrugët rajonale, magjistrale dhe ato urbane janë të kalueshme por të vështirësuara për qarkullim.

Në disa rrugë, kryesisht ato në zona malore dhe në zona të thella, qarkullimi është shumë i vështirësuar dhe kryesisht kalimi mund të bëhet vetëm me pajisje dimërore. Policia e Kosovës ka kërkuar nga shoferët që pa nevojë mos të udhëtojnë dhe nëse e bëjnë këtë atëherë, të kenë kujdes maksimal dhe shpejtësinë t’ia përshtatin kushteve të rrugës, si dhe patjetër t’i bartin zinxhirtë në ato rrugë ku ka më shumë borë dhe akull.

Gjatë ditëve të ardhshme, pritet rënie e mëtejme e temperaturave dhe ato minimale parashikohet të ulen dukshëm, deri në -18°C, të enjten dhe të premten, kurse temperaturat maksimale ditore do të lëvizin në mes të -4°C deri -1°C.

Nata e pritjes së vitit të ri, ndërmjet 31 dhjetorit dhe 1 janarit, pritet të jetë ndër më të ftohtat me temperaturën minimale deri -18°C dhe ndjesi reale të temperaturës -22°C.

SHKARKO APP