Borrel: Të gatshëm të ndihmojmë Kosovën në rrugën e integrimit Europian

Përfaqësuesi i lartë për politikën e jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Europian, Joseph Borrel dhe komisioneri për fqinjësinë dhe zgjerimin, Oliver Varhelyi kanë publikuar një deklaratë për zhvillimin e zgjedhjeve në Kosovë.

Në deklaratën e përbashkët, Borrel dhe Varhelyi shprehin gatishmërinë për të ndihmuar Kosovën në rrugën e reformave të integrimit të saj europian dhe komunikojnë pritshmëritë për qeverinë e re të Kosovës.

Ndër pritshmëritë, fokusi vihet te angazhimi konstruktiv për dialogun me Serbinë me synim vazhdimin e takimeve në këtë kuadër për arritjen e një marrëveshjeje gjithpërfshirëse.

Pyetjes së “ABC News” nëse Joseph Borrel i frikësohet mungesës së vullnetit nga qeveria që pritet të formohet në Kosovë për të vazhduar dialogun Prishtinë-Beograd , zëdhënësi Peter Stano i është përgjigjur si vijon:

“Përfaqësuesi i lartë i politikës së jashtme Borrel dhe komisioneri Varhelyi kanë formuluar qartë në deklaratën e tyre reagimin mbi zhvillimin e votimit në Kosovë dhe gatishmërisë sonë për të ndihmuar Kosovën  dhe qeverinë re për agjendën e reformave. Ne kemi nënvizuar gjithashtu pritshmëritë kur bëhet fjalë për avancimin në reformat e integrimit europian, të bashkëpunimit rajonal dhe dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Lidhur me procesin zgjedhor, ne nuk do të shkojmë përtej kësaj deklarate, pasi faza pas zgjedhore është në vijim e sipër”, u shpreh  zëdhënësi i KE-së Peter Stano.

Misioni i ekspertëve elektoralë të Bashkimit Europian në Kosovë do të ndjekë procedurat post-elektorale dhe do të përpilojnë rekomandime lidhur me procesin zgjedhor në Kosovë.

SHKARKO APP