Britania mbështet Kosovën përmes projekteve konkrete

Ambasadori britanik në Prishtinë, Ruairi O’Connell, deklaroi dje se vendi i tij do të vazhdojë përkrahjen për Kosovën përmes projekteve konkrete dhe kërkoi që të punohet në përkrahjen e vlerave dhe mbështetjen e talenteve të rinj në të gjitha fushat.

Ai këto komente i bëri gjatë një takimi me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, të cilin e uroi për detyrën e re. Ministri Gashi e falenderoi ambasadorin O’Connell për ndihmën e vazhdueshme të Britanisë së Madhe për popullin e dhe shtetin e Kosovës në përgjithësi, e në veçanti në mbështetje të kulturës, sportit e trashëgimisë kulturore.

Ai tha se e çmon bashkëpunimin e deritashëm dhe përkrahjen që Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar ka dhënë për projekte të ndryshme, të cilat e kanë ndihmuar MKRS-në që të realizojë politikat e saj dhe se kjo ka krijuar lehtësira të jashtëzakonshme për mbarëvajtjen e punës së ministrisë.

Ndër këto projekte është Databaza e Trashëgimisë Kulturore, në të cilën Britania e Madhe ka ofruar mbështetjen e plotë për këtë projekt.

Po ashtu, ministri Gashi tha se MKRS-ja do të angazhohet në reformimin e politikave të saj programore me synim të depolitizimit dhe zvogëlimit të barrierave të panevojshme administrative duke siguruar edhe pavarësinë e funksionimit të institucioneve vartëse të ministrisë.

“Do të angazhohemi që të rikonceptojmë mbështetjen e fuqishme për kulturën e pavarur, kryesisht  artistët, punëtorët profesionalë të Trashëgimisë Kulturore, sportistët dhe aktivistët e rinj të dëshmuar”, tha ministri Gashi. /Kosovapress/

SHKARKO APP