Brukseli diskuton sot për çështjen e kodit telefonik të Kosovës
Sot në Bruksel vazhdon raundi i ri i bisedimeve të thirrura nga Bashkimi Evropian me qëllim të që zhbllokohet procesi i zbatimit të marrëveshjeve të arritura më 25 gusht 2015, të cilat janë bllokuar nga ana e Serbisë prej një viti.
Sipas një njoftimi të Ministrisë për Dialog, ky takim vjen si rezultat i rritjes së angazhimeve të BE-së për zhbllokimin e proceseve zbatuese në dialogun e Brukselit.
“Në orët e mëngjesit, ministrja Tahiri do të zhvillojë takim me drejtoreshën për çështjet e Evropës Juglindore të Shërbimit të Jashtëm të BE-së, Angelina Eichhorst, ku do kërkojë që Serbia të heqë bllokadat dhe zbatojë marrëveshjet për çështjen e kodit telefonik shtetëror për Kosovën, pavarësimin e KOSTT-it dhe largimin e barrikadës nga ura e Mitrovicës. Ministrja Tahiri do të ritheksojë qëndrimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës se moszbatimi i këtyre marrëveshjeve nga ana e Serbisë, flet qartazi për shkeljet serioze që pala serbe u bën marrëveshjeve të Brukselit të nënshkruar nga kryeministrat e të dy shteteve dhe përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Mogherini” thuhet në njoftim.
Ministrja Tahiri po ashtu, do të rikonfirmojë qëndrimin se zbatimi i këtyre tri marrëveshjeve mund të hapë rrugën e zbatimit të marrëveshjes për asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, ku si kusht kryesor është zhbërja e plotë e të gjitha strukturave të mbetura paralele të Serbisë në Kosovë, si dhe që ky asociacion nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe as nuk do të jetë një nivel i tretë i qeverisjes, sepse këto kompetenca nuk i lejohen nga ligjet dhe Kushtetuta e Kosovës, dhe se marrëveshja bazohet në ligjet e Kosovës.
Tahiri do të njoftojë BE-në për zhvillimet pozitive në zbatimin e marrëveshjes për drejtësinë dhe vendosjen e sistemit unitar të drejtësisë në veri të vendit në muajin tetor, si dhe të një numri të madh të ministrive dhe agjencive qendrore, të cilat do të nisin punën së shpejti.
/ Kosovapress /