Bytyçi: Zgjedhjet në Kosovë sukses i politikës, më e përparuar se ajo e Shqipërisë

Zgjedhje e parakohshme në Kosovë po afrojnë. I ftuar në A2, pedagogu dhe analisti Enver Bytyçi mendon se 6 tetori do të përfaqësojë një moment kthesë në historinë e Kosovës. “Dorëheqja e kryeministrit në detyrë Haradinaj ishte një ogur i mirë për Kosovën, dhe jo thjesht për disa parti”, mendon analisti i cili bën edhe një paralelizëm me situatën politike në Shqipëri.

Nga ana tjetër, ai thotë se: ”Dorëheqja e Haradinaj dhe zgjedhjet janë një sukses për politikën kosovare, dhe mendoj se ajo është më e emancipuar se ajo e Shqipërisë, për shkak se ajo ka kultivuar institucionin e dorëheqjes, ku zgjedhjet shihen si zgjidhje për krizat politike, dhe besoj se këto zgjedhje po konfigurojnë një spektër të ri politik që do të qeverisë Kosovën”.

Midis koalicioneve, ai sheh si më të suksesshëm atë midis LDK-së dhe Vetëvendosjes, edhe pse duket se marrëveshja nuk po kushtëzohet nga programi politik i ndryshëm sesa nga postet qeveritare, “gjë që të len një shije të hidhur sepse koalicionet bëhen në bazë të programit, postet janë për një fazë pas zgjedhore.

Bytyçi mendon se figura e propozuar unanimisht nga LDK, Vjosa Osmani, “është kandidatja më e mirë për vendin e kryeministres”. Analisti e motivon këtë për faktin se “ ka një besueshmëri personale të madhe te publiku, si dhe një partneritet të shkëlqyer me ndërkombëtarët”. Osmani sipas tij “është këmbëngulëse dhe me ide të qarta, por nuk ka radikalizëm”, gjë që shpesh herë tregon Albin Kurti, për të cilin roli i presidentit mund të ishte më i përshtatshëm.

SHKARKO APP