Caplan: Do të ketë presion mbi Kurtin për dialogun
Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara do t’i bëjnë presion kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që të nisë dialogun me Serbinë pa vendosur parakushte, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Richard Caplan, profesor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Oksfordit.
“Mendoj se ka presion në (kryeministrin e Kosovës, Albin) Kurtin dhe në Serbinë që të rifillojnë negociatat. Mendoj se ka mundësi që të mbahen prapë, por nuk jam shumë optimist për rezultatin që mund të prodhojnë.
Në fakt, Kurti ka ulur nivelin e pritjes, pasi ka sugjeruar se nuk është realiste të fokusohet në marrëveshjen përfundimtare, por të ketë fokusim në çështje siç është tema e të pagjeturve. Mendoj se ky është një drejtim ku mund të bëhet një lloj përparimi, por duke pasur parasysh natyrën dhe shkallën e mospajtimeve mes dy palëve, mendoj se do të jetë shumë e vështirë të lëvizet përpara në çështje më thelbësore.”
Ai nuk është optimist për ndonjë rezultat të shpejtë në dialog, për shkak të pozicionit aktual të palëve. Madje, thotë se bazuar në situatën e tanishme, ekziston mundësia që dialogu të zgjasë pa fund, siç po ndodh në rastin e Qipros apo mes izraelitëve dhe palestinezëve.
“Është ngecje dhe mendoj se kjo situatë mund të zgjasë pafund. Ju keni shembuj të situatave të tilla, për shembull negociatat në Qipro mes qipriotëve turq dhe atyre grekë. Negociatat e tyre po zgjasin me dakada. Pastaj, negociatat mes izraelitëve dhe palestinezëve, të cilat gjithashtu po zgjasin me dekada. Pra, nuk mund të përjashtohet mundësia që edhe ky dialog (Kosovë-Serbi) të zgjasë pafundësisht në të ardhmen. Megjithatë, mendoj se dallimi në këtë rast është se do të ketë shumë presion ndaj palëve që të shënojnë përparim. Një aspekt për të cilin të gjithë shpresojnë se mund të bëjë dallimin është anëtarësimi i Serbisë në Bashkimin Evropian, dhe kushti ndaj saj që të normalizojë marrëdhënien me Kosovën. Kjo mund të ishte një pikë kthese. Por, për momentin kur shikoj të ardhmen, nuk jam shumë optimist.”