Çelet Konsullata e përbashkët Shqipëri-Kosovë në Mynih
Në një aktivitet të posaçëm të organizuar me pjesëmarrjen e Ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, Ditmir Bushati dhe Ministrit të Jashtëm të Kosovës, Enver Hoxhaj, Ministres Bavareze për Çështjet Evropiane znj. Beate Merk, Rifat Jasharit dhe zyrtarë të tjerë u inaugurua hapja e Konsullatës së përbashkët në Mynih të Gjermanisë.
Konsullata e përbashkët në Mynih do të mundësojë ofrimin e shërbimeve për qytetarët e Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës në një ambient modern dhe në një kohë më të shkurtër, duke rritur cilësinë e shërbimit të ofruar.
Kjo Konsullatë do të mbulojë landet e Bavarisë (Bayern), Baden-Württemberg, Rheinland-Pfalz dhe Saarland. Mbi 30% e qytetarëve të të dyja shteteve që jetojnë në Gjermani do të mund të përfitojnë shërbimet dhe asistencën e kësaj konsullate. Përveç kësaj, hapja e Konsullatës së Përgjithshme do të ndikojë edhe në intensifikimin e marrëdhënieve bilaterale, politike, diplomatike, ekonomike e kulturore me landet të cilat janë në rrethin e juridiksionit e saj.
Hapja e Konsullatës së përbashkët bëhet në kuadër të Partneritetit Strategjik midis dy vendeve tona, i cili po thellohet dita ditës përmes veprimeve konkrete. Kjo Konsullatë vijon Konsullatën e përbashkët në Milano, ofrimin e shërbimeve konsullore në Bari, me synimin për të ndjekur këtë praktikë edhe në vendet e tjera me interes të përbashkët. Ajo përbën një tregues të avancimit të veprimeve të koordinuara të politikës së jashtme të të dyja shteteve, me qëllim përmirësimin e shërbimeve konsullore për qytetarët e Shqipërisë dhe Kosovës.
Ky përfaqësim i përbashkët përbën një formë moderne të asistencës së ndërsjellë për qytetarët tanë jashtë vendit, njëkohësisht, është shprehje e marrëdhënieve shumë të mira mes dy vendeve tona me Gjermaninë, mikpritëse e komuniteteve të mëdha të emigranteve nga Republika e Shqipërisë dhe Republika e Kosovës.
Në fjalën e tyre, Ministrat Bushati dhe Hoxhaj nënvizuan se: “Konsullata përbën një hap të rëndësishëm në kuadër të partneritetit strategjik që kemi mes dy vendeve dhe është një tregues i qartë i punës dhe vullnetit tonë për të qenë sa më pranë bashkëkombësve, duke iu ofruar atyre shërbime sa më cilësore dhe transparente”.
Shënim për qytetarët: Konsullata e re e Përbashkët ndodhet në Ehrebreitsteinerstrasse 28, 80993 München. Adresa e e-mail: consulate.munich@mfa.gov.al