Ceremonia e rivarrimit të eshtrave të Isa Boletinit më 16 janar 2015
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, ka pritur sot në një takim Këshillin Organizativ për rivarrimin eshtrave të heroit kombëtar, Isa Boletini dhe kryetarin e Mitrovicës, Agim Bahtirin, me të cilët biseduan për procesin e përgatitjeve të ceremonisë së rivarrimit të eshtrave të heroit kombëtar që do të mbahet më 16 janar 2015.
Përfaqësuesi i familjes Boletini, Gazmend Boletini, e ka uruar ministrin Shala për detyrën e re. Ai e informoi ministrin me procesin e punës, koordinimin me institucionet dhe çfarë aktivitetesh do ta përcjellin ceremoninë e rivarrimit të eshtrave të heroit Boletini.
Ndërsa ministri Shala është shprehur se tashmë pas identifikimit të eshtrave të heroit tonë kombëtar, Isa Boletini, nga Departamenti i Mjekësisë Ligjore, jemi në fazën përfundimtare kur edhe do të organizohet ceremonia e rivarrimit.
Ai në lidhje me këtë, ka ofruar mbështetjen e tij personale dhe të MKRS-së dhe ka falënderuar të gjitha institucionet që kanë punuar në mënyrë profesionale në finalizimin e këtij procesi.