Çollaku: Kurti dhe Osmani, të fortë përballë Serbisë, shpresojmë që edhe qeveria e Tiranës të ndryshojë
Albin Kurti u ul sot në karrigen e Kryeministrit të Kosovës për të dytën herë brenda një kohe të shkurtër.
Pandemia dhe situata ekonomike janë sfida kryesore me të cilën do të përballet qeveria e tij por nuk mbetet pas dhe dialogu me Serbinë.
Kreshnik Çollaku, anëtar i Kryesisë së PD, thotë se situata në raport me Serbinë ka ndryshuar pasi ka të tjerë aktorë në lojë.
Çollaku: Pandemia dhe ekonomia mbeten një sfidë.Procesi i Gjykatës Speciale nuk ka lidhje me dialogun Kosovë-Serbi formalisht. Procesi i dialogut, marrëdhënia e Kosovës me Serbinë mbetet një nga sfidat. Aktorët në Serbi janë të njëjtët. Çfarë ka ndryshuar është janë dy elementë. Në Kosovë kanë një grupim tjetër politik, të konfirmuar nga dy palë zgjedhje. Kjo u jep shumë forcë dhe legjitimitet Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit në përballjen me Serbinë. Shpresojmë që një ndryshim thelbësor, një qeveri e cila nuk është aktor por është aktive në çështjet shqiptare në Ballkan dhe raportet me Serbinë, qeveria e Tiranës zyrtare të ndryshojë pas 25 prillit për të mos krijuar ato situata të paprecedenta, penguese, disfavorizuese që ju krijuan Kosovës. Pas 25 prillit do të jetë një qeveri që do të mbështesë Kosovën dhe jo ti fusë shkopinjtë nën rrota. Një element shtesë janë zgjedhjet në SHBA, kemi një president të ri, një njeri që e njeh mirë Ballkanin, një ndër arkitektët e politikës amerikane në Ballkan dhe shpresoj se do të ndjekë një qasje në favor të asaj që është perspektiva shqiptare në Ballkan.
Krijimin e qeverisë Kurti 2 ai e sheh një vazhdimësi dhe rikonfimim i atij vullneti politik që populli i Kosovës e dha në zgjedhjet e 6 tetorit ku në formë gati referendare u votua Albin Kurti dhe Vjosa Osmani në dy lista të ndryshme dhe e njëjta gjë është e rikonfirmuar kur këta të dy formuan një koalicion parazgjedhor dhe kandiduan në një listë të përbashkët.
Çollaku: Kosova tregoi qëndrueshmëri në votën me të cilën mbështeti këta dy politikanë dhe besoj se kjo qëndrueshmëri e votës e sfiduar në dy palë zgjedhje tregon edhe se çfarë është pritshmëria e qytetarëve të Kosovës karshi qeverisë Kurti qoftë në rastin e parë, por sidomos tani në rastin e dytë. Është një pozitë jashtëzakonisht e favorshme. Nuk ka asnjë pengesë.I vetmi armik që ka Albin Kurti dhe Vjosa Osmani është mosrealizimi. Nuk do ja sugjeroja asnjë opozitari teknika që nuk në fund nuk do të ishin efektive.
Vlerësime pozitive ka edhe për kabinetin qeveritar të Kurtit.
Çollaku: Kabineti ministrior është i mirë dhe cilësor, përfaqësim i qartë i koalicionit. Janë njerëz me ide, seriozë.Jam jashtëzakonisht entuziast që në kabinetin Kurti 2, ministre e Jashtme është Donika Gervalla, studente e Dhjetorit në Tiranë.
Për Ora News, Çokallu analizoi edhe zhvillimet brenda LDK, të lidhura me zgjedhjet dhe Vjosa Osmanin.
Çollaku: Fenomeni Vjosa Osmani në politikën e Kosovës ishte një lajm interesant. Një lloj referendumni ndodhi dhe brenda votuesve të LDK, që u fitua thellësisht nga Osmani, ka votën e mbi 300 mijë votuesve të Kosovës. Kjo pasoi dhe zhvillimet në LDK me zgjedhjet e reja. Do të doja një rikthim në bashkëpunim me pjesën e larguar, shpresoj të ndodhë. Zgjedhjet dhe fitorja e referendumit në LDK nga Osmani solli zhvillime pozitive në LDK si zgjedhja e Lumir Abdixhikut kryetar i ri.