Covid-19 në Kosovë, infeksionisti: 90 shtretër me pacientë, 70% në oksigjenoterapi
Institucionet përgjegjëse në Kosovë thonë se situata me pandeminë nuk është alarmante, edhe pse raportohet për një shtim të rasteve pozitive.
Në 24 orët e shkuara, vendi regjistroi vetëm një viktimë nga sëmundja infektive, ndërkohë që mbi 1,570 persona gjithsej nuk i kanë mbijetuar virusit të ri korona.
Në mbledhjen e komitetit për vlerësimin e situatës, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, kërkoi të hënën që të vazhdohet të respektohen masat shtrënguese anticovid.
Por infeksionisti Izet Sadiku nga Klinika Infektive e Prishtinës tregon se situata në spitale, mbetet e rënduar.
“Repartet e tjera që janë në dispozicion 90 shtretër të gjithë i kemi të mbushur me pacientë prej të cilëve 60 deri 70 për qind e tyre janë me oksigjenoterapi dhe faktikisht Klinika Infektive vazhdimisht është e mbushur me pacientë. I kemi disa (pacientë) në mjekimin intensiv, zakonisht 4 deri 5 pacientë janë në gjendje të rëndë, por edhe këta që janë në reparte që janë me oksigjenoterapi janë pacientë që potencialisht në çdo moment mund t’iu keqësohet gjendja e tyre.”
Lidhur me variantet e reja të koronavirusit që qarkullojnë nëpër botë, Sadiku thotë se përveç 3 rasteve të raportuara në janar, nuk ka pasur të dyshuar të tjerë.
“Sigurisht që mund të ketë numër më të madh, por ky test tek ne nuk bëhet dhe për t’u bërë testi duhet të dërgohet jashtë Kosovës.”
Kosova është vendi i fundit në rajon që ende nuk ka një datë për sigurimin e vaksinave të para anticovid, qoftë nga programi “COVAX” i OBSH-së apo nga kompanitë prodhuese.