Daçiç: Veriu i Kosovës t’i kalojë Serbisë

Ministri serb i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiç ka konfirmuar ambiciet e Serbisë për ndarjen e Kosovës, duke thënë se “veriu i Kosovës nuk mund të mbetet nën sovranitetin e Prishtinës”.

Ai beson se çështja e Kosovës do të zgjidhet në qoftë se bashkësia ndërkombëtare pajtohet me këtë ide.

“Është e pamundur të gjendet zgjidhje adekuate për çështjen e Kosovës, përveç rrespektimit të situatës në teren – kush çfarë e mban atë, ajo është i saj. Në këtë rast, veriu i Kosovës nuk mund të jetë nën sovranitetin e Prishtinës dhe ky është fundi”, ka thënë Daçiç për Televizionin O2.

Ai rikujtoi se për këtë është duke folur prej dhjetë vitsh, sepse, siç thotë, “e di se kjo është zgjidhja e vetme konkrete që nuk shkakton probleme”.

“Nëse bashkësia ndërkombëtare pajtohet rreth asaj se çështja e Kosovës duhet të mbyllet si një problem që gjeneron jo stabilitet të përhershëm, mendoj se kjo çështje do të zgjidhet”, tha Daçiç, por thekson se problemi qëndron te fakti se një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare nuk pajtohen me këtë.

Kreu i diplomacisë serbe thotë se kjo nuk ka të bëjë me marrëdhëniet midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara, por në marrëdhëniet e partnerëve evropianë dhe Shteteve të Bashkuara”.

SHKARKO APP