DASH: Kosova djep i trafikimit të femrave

Raporti vjetor i Departamentit amerikan të Shtetit, i cili e ka cilësuar Kosovën si destinacionin për gratë, fëmijët dhe burrat, të cilët i nënshtrohet trafikimit seksual dhe punës së detyrueshme, të përfshirë në industrinë e restoranteve, duhet të merret seriozisht nga institucionet e sigurisë së vendit.

 Kështu kanë thënë deputetë dhe analistë, sipas të cilëve, ky raport pasqyron njëkohësisht edhe gjendjen e mjerueshme të sistemit të drejtësisë në të cilën gjendet Kosova. Ndër të tjera, në këtë raport thuhet se vendi ynë është renditur në kategorinë e dytë, të të ashtuquajturës “Tier-2”, ku rangohen shtetet, qeveritë e të cilave nuk i përmbushin kriteret minimale për luftimin e kësaj dukurie, por po bëjnë përpjeke për t’i arritur këto kritere.

Ato që pësojnë nga trafikimi seksual në Kosovë janë vajzat, edhe pse grupet kriminale në Kosovë detyrojnë gra nga Shqipëria, Serbia, Rumania dhe vende tjera të Evropës të merren me prostitucion, thuhet në raport.

Në raportin e DASH-it, po ashtu, tregohet se gratë dhe vajzat u nënshtrohen trafikimit seksual nëpër shtëpi private, klube të natës dhe komplekse të masazheve. Trafikantët u premtojnë vende pune si valltare apo këngëtare në lokale të ndryshme, por më vonë i detyrojnë në trafikim seksual.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, njëherësh anëtarja e Bordit të Grave Deputete, Alma Lama, duke komentuar raportin e DASH-it ka thënë për “Zërin” se institucionet kompetente duhet të marrin masa urgjente lidhur me këtë dukuri.

SHKARKO APP