David Phillips: Ndryshimi i kufijve ishte një ide e Thaçit dhe Vuçiçit

Analisti amerikan, David Phillips thotë se Shtetet e Bashkuara duhet të përshtatin qëndrimin e tyre ndaj qeverisë së ardhshme të Kosovës, në përputhje me vullnetin e popullit të Kosovës. Por prof. David Phillips i Universitetit të Kolumbias tha për Zërin e Amerikës, se edhe Albin Kurti me kalimin e kohës, i ka ndryshuar qëndrimet e tij. Në intervistën me kolegen Keida Kostreci, zoti Phillips tha se ideja e ndyshimit të kufirit ka vdekur dhe kur negociatat me Serbinë të rifillojnë, Kosova do të shkojë në tryezë me një platformë të integritetit territorial.

Zëri i Amerikës: Zoti Phillips, si i shihni rezultatet e zgjedhjeve në Kosovë?

David Phillips: Është e qartë se democracia po funksionon në Kosovë. Brezi i ri i votuesve do ndryshim. Njerëzit janë të lodhur me kandidatët e vjetër që e ndërtuan reputacionin gjatë luftës kundër Serbisë. Pra zgjedhjet shkuan mirë. Ato ishin të lira dhe të drejta. Tani Kosovën e pret puna e madhe e formimit të qeverisë dhe të një qëndrimi ndaj Beogradit për negociatat e ardhshme.

Zëri i Amerikës: A e shihni rezultatin jo vetëm si një sinjal për mbështetjen ndaj zotit Kurti, por edhe si votë ndaj politikave dhe qëndrimeve të ish-shumicës brenda vendit dhe në arenën ndërkombëtare?

David Phillips: Është e qartë se Albin Kurti është i respektuar dhe i admiruar nga elektorati. Tani atij i duhet të ndërtojë ura bashkëpunimi dhe të punojë drejt formimit të një qeverie koalicioni, të komunikojë me përfaqësuesit serbë në Kosovë për mënyrat se si mund të punojë me ta dhe të zhvillojë një qëndrim për negociatat me Beogradin. Mendoj se fillimisht do të rishikohet zbatimi i 33 marrëveshjeve ekzistuese dhe bazuar tek ajo analizë, do të rekomandohen disa hapa për zbatimin e mëtejshëm të tyre. Një gjë që nuk është në tryezë, është ndryshimi i kufirit. As Albin Kurti dhe asnjëra nga partitë e mëdha nuk e mbështesin. Pra, qeveria e Kosovës mund të ketë një dialog me Beogradin por dialogu do të jetë për normalizimin brenda kufijve aktualë të Kosovës. Dhe nuk do të jetë në tryezë ndarja.

Zëri i Amerikës: Departamenti i Shtetit tha se Shtetet e Bashkuara presin që udhëheqja e re të rifillojë menjëherë bisedimet me Serbinë drejt një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve. A mendoni se kjo është realiste?

David Phillips: Patjetër që duhet të ketë negociata për normalizimin. Të gjithë e mbështesin normalizimin. Ndryshimi i kufijve ishte një ide e Hashim Thaçit dhe Aleksander Vuçiçit. Dhe tani i ka ikur koha. Është e vdekur dhe nuk duhet të merremi më me të. Duhet të përqendrohemi t’i bëjmë presion Beogradit që të njohë Kosovën, të normalizojë marrëdhëniet, të merret me çështjen e personave të zhdukur, në mënyrë që të dyja vendet të ecin përpara si fqinjë brenda kufijve të tyre, krah për krah në paqe dhe mirëqenie.

Zëri i Amerikës: Disa nga deklaratat dhe qëndrimet e zotit Kurti, kanë shkaktuar shqetësim ndër vite tek perëndimi, përfshirë Shtetet e Bashkuara. Në fakt pas zgjedhjeve, deklaratat e tij kanë qenë të matura. A mendoni se ai do t’i modifikojë qëndrimet kur të jetë në qeverisje?

David Phillips: Unë e njoh prej dekadash Albin Kurtin dhe e kam parë të ndryshojë si person dhe si personalitet politik. Unë parashikoj që pjekuria e tij të rritet, që ai të vazhdojë të ndryshojë. Ai mbështet një dialog me Beogradin, por duhet të jemi të qartë për axhendën. Ai është kundër ndarjes apo ndryshimit të kufirit. Prandaj unë pres që zyrtarët amerikanë të përshtaten me realitetin. Albin Kurti do të fillojë përpjekjet për formimin e një qeverie. Do t’i duhet të bashkëpunojë me parti të tjera dhe do t’i duhet të merret me marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë dhe me serbët e Kosovës, me listën serbe, në mënyrë që të punojmë në mënyrë konstruktive drejt forcimit të një shoqërie të përbashkët që të jetë shumëetnike dhe demokratike.

Albin Kurti mund të jetë partner i mirë në këtë drejtim: i pakorruptuar, pa pazare të fshehta, nuk ka prapaskena. Këtë donin votuesit dhe ne në Shtetet e Bashkuara, duhet ta pranojmë.

Zëri i Amerikës: Pra ju po thoni që do të ketë përshtatje si nga ana e Shteteve të Bashkuara, ashtu edhe nga ana e zotit Kurti…

David Phillips: Kosova nuk është koloni e Shteteve të Bashkuara, nuk merr urdhra nga Uashingtoni. Ditët kur ambasadori amerikan në Prishtinë diktonte rregullat për çdo gjë, kanë mbaruar.

I dërguari i posaçëm për Ballkanin Perëndimor (Matthew Palmer) dhe tani i dërguari i posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi, zoti Grenell, duhet të ndjekin një strategji të mbështetur në realitet. Ata nuk do të marrin vendime në Uashington dhe t’i thonë qeverisë së Kosovës apo Albin Kurtit çfarë të bëjë. Duhet të ketë një dialog të vërtetë. Kosova është e pavarur dhe sovrane. Duhet gjithashtu ta kuptojmë që votimi i së dielës, ishte një refuzim i planit për ndarje dhe personalisht Hashim Thaçit.

Votuesve të Kosovës u kishte ardhur në majë të hundës me qeverisjen e tij në vend, që ishte joefektive dhe përgjithësisht e korruptuar. Ishin kundër marrëdhënieve të tij rajonale, dhe lidhjeve të tepruara miqësore me Beogradin. Ata duan një qeveri që do të përfaqësojë ineresat e popullit të Kosovës dhe jo interesat e Rusisë apo Serbisë. Është koha të shihet realiteti në sy.

Zëri i Amerikës: A mendoni se do të hiqen tarifat nga qeveria e re?

David Phillips: Sipas mendimit tim tarifat ishin plotësisht të justifikuara, duke u nisur nga veprimet agresive të qeverisë serbe ndaj Kosovës. Veprimet e Serbisë në Abu Dhabi në votimin për Interpolin e detyruan Ramush Haradinajn, të vendoste tarifat e jashtëzakonshme. Përpjekjet e tyre për të bindur vendet e tjera ta tërhiqnin njohjen, e acarojnë edhe më shumë marrëdhënien. Tarifat ekzistojnë. Ndoshta ato do të hiqen, por duhet të ulen gradualisht në varësi të sjelljes së Serbisë. Nuk duhet të ketë më qëndrim antagonist, nuk duhet ta shohë me përçmim Kosovën dhe t’i trajtojë shqiptarët e Kosovës si më pak të rëndësishëm. Duhet të kemi trajtim të barabartë. Dhe Shtetet e Bashkuara duhet të luajnë një rol për ta garantuar një gjë të tillë dhe për të respektuar vullnetin e votuesve të Kosovës.

Zëri i Amerikës: Zoti Kurti ka ftuar LDK-në në koalicion. Si mendoni se do të shkojë?

David Phillips: Si dy partitë me numrin më të madh të votave, LDK-ja dhe Vetëvendosja duhet të ulen dhe të flasin për koalicion. Meqenëse Vetëvendosja ka numrin më të madh të votave dhe gjasat më të mëdha janë që të marrë përgjegjësinë për negociatat dhe që Albin Kurti të jetë kryeministri. Shtetet e Bashkuara duhet t’i mbështesin këto përpjekje dhe LDK-ja në vend që të kërkojë rinumërim, duhet të fillojë të bjerë dakord për bisedime, në mënyrë që t’i përfaqësojë me efetkivitet qytetarët e shumtë që votian për LDK-në në zgjedhje.

SHKARKO APP