Debati në Serbi për Kosovën, Vuçiç: Politika ime ka pësuar disfatë
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka bërë autokritikë në lidhje me politikën e ndjekur në lidhje me Kosovën. Ai u shpreh se politika e tij që Serbia të ruajë shumë gjera në Kosovë nuk ka fituar dhe për këtë gjen disa arsye.
Politika ime që Serbia të ruajë shumë gjera në Kosovë, qartazi në Serbi nuk ka fituar, sepse serbët duan të humbin gjithçka, më së shumti dëshirojnë të vajtojnë mbi fatin e tyre. Më shumë duan të qajnë për diçka që është e largët, sesa të kenë diçka në duart e tyre. Raundin e parë e fitoi Serbia e shkatërrimit, Serbia e vajit e jo Serbia që fiton. Do të luftojmë që ata njerëz të jetojnë më mirë dhe të kenë më shumë te drejta.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç u angazhua pak kohë më parë për ndarje ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë, duke u bërë jehonë kërkesave të Serbisë për ndarjen tokësore të Kosovës në kuadër të procesit për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dy vendeve. Por gjatë vizitës në Kosovë ai u shpreh se ‘nuk është e vërtetë se dua të ndryshoj kufijtë’.
Kosova e ka hedhur poshtë idenë e ndarjes tokësore të saj, ndërsa është përfshirë ne debatet e nxitura nga ideja e presidentit të saj Hashim Thaçi për ‘korrigjimin e kufirit” që sipas tij, nënkupton bashkimin e luginës së Preshevës, një rajon me shumicë shqiptare në jug të Serbisë, me Kosovën.
SHBA dhe BE nuk e kanë kundërshtuar idenë, por kanë kërkuar mos cenonte stabilitetin e Ballkanit, ndërsa Gjermania dhe Britania janë pozicionuar kundër. Përsa i përket Shqipërisë, Rama mbështeti qëndrimin e BE, ndërsa Presidenti Meta doli kundër rishikimit të kufijve.