Debati për shtatoren e Skënderbeut, PDK: Komuna e Prizrenit përdhosi figurën e heroit kombëtar

Debati për shtatoren Skënderbeut në Prizren, për tjetërsimin e figurës, ka sjellë reagimin e Partisë Demokratike të Kosovës, ku kërkojnë që jo vetëm rimodelim të figurës së tij duke thënë se është përdhosur heroi kombëtar dhe historia, por kërkojnë dhe ndryshim lokacioni pasi është vend jo i denjë për figurën e tij dhe shkak burimi aksidenti.

Nënkryetari i PDK-së, njëkohësisht, kryetari i Degës së PDK-së në Prizren, Shaqir Totaj, i shoqëruar nga deputetja Eliza Hoxha, kritikuan Komunën për të gjithë procesin në lidhje me vendosjen e shtatores së Skënderbeut.

“E para, lokacioni i përzgjedhur nuk është i denjë për vendosjen e shtatores së Skënderbeut. Ai është i izoluar dhe shumë hapësirë e fshehur e qytetit. E dyta, për shkak të trafikut të dendur në atë rrethrrotullim ku është vendosur shtatorja, shumë lehtë mund të shkaktohen aksidente dhe rrezikohet jeta e vizitorëve të mundshëm. E treta, dega e PDK-së në Prizren përmes asamblistëve të saj në fazën e parë, para së të merret vendimi, ka tërhequr vëmendjen për lokacionin jo adekuat dhe ka kërkuar lokacion tjetër më të përshtatshëm por që është injoruar nga kryetari Mytaher Haskuka”, ka thënë Totaj.

Për më tepër, Totaj ka bërë të ditur se PDK-ja në Prizren do të filloj me mbledhjen e nënshkrimeve për një seancë të jashtëzakonshme të Asamblesë Komunale ku do të kërkohet rimodelim i shtatores së Skënderbeut dhe ndryshimin e lokacionit, sepse figura e tij meriton lokacionin më të mirë të qytetit.

SHKARKO APP