Deklarata e Macron për vizat e Kosovës, KE: Liberalizimi hyn në fuqi më 1 janar 2024
Komisioni Europian nuk ka pranuar të bëjë komente mbi deklaratën e bërë nga Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, gjatë vizitës së tij në Tiranë, por ka theksuar se liberalizimi i vizave për Kosovën do të hyjë në fuqi në fillim të vitit që vjen.
“Liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës do të hyjë në fuqi më 1 janar të vitit 2024 dhe do t’i lejojë ata që të udhëtojnë brenda hapësirës së Bashkimit Europian për 90 ditë.”
Kështu është përgjigjur zëdhënësja e Komisionit Europian për Punët e Brendshme, Anitta Hiper, pasi është pyetur nëse Franca ka propozuar pezullimin e liberalizimit të vizave të Kosovës.
Përpos kësaj, në përgjigjen e tij, Komisioni Europian sqaron se një shtet i vetëm nuk mund të vendosë që të pezullojnë një regjim të lëvizjes pa viza pasi ky i fundit është vendosur.
Vendime të tilla, siç sqaron KE, mund të merren vetëm në nivel të BE-së, duke u bazuar në rregullat e unionit për dhënien apo pezullimin e regjimeve pa viza.
“Ne jemi në kontakt me të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Euopian dhe nuk bëjmë komente mbi komentet. Në prill 2023, Parlamenti Europian dhe Këshilli adoptuan rregulloren 2023/850 të (BE), duke u hequr mbajtësve të Pasaportës së Kosovës, regjimin e vizave. Liberalizimi i vizave për shtetasit e Kosovës do të hyjë në fuqi në 1 janar të vitit 2024. Do t’ u lejojë qytetarëve të Kosovës që të udhëtojnë në hapësirën e Bashkimit Europian pa viza për 90 ditë në çdo periudhë kohore prej 18 ditësh.
Komisioni ka vlerësuar që nga korriku 2018 se Kosova i përmbush të gjitha standardet e Udhërrëfyesit për Liberalizimin e Vizave. Kosova ka punuar vazhdimisht për të përmbushur standardet. Shtete të veçanta anëtare nuk mund të vendosin të pezullojnë një regjim pa viza. Rregullat në lidhje me dhënien, pezullimin ose përfundimin e përjashtimeve të vizave janë plotësisht të harmonizuara në nivel të BE-së dhe kërkojnë vendime në nivel të BE-së, ka deklaruar për A2CNN Anitta Hiper, zëdhënësja e Komisionit Europian për Punët e Brendshme.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha në Tiranë më 17 tetor se Franca bëri një “gjest besimi sa i përket çështjes së vizave për Kosovën”.