Deklarata e Thaçit për bashkimin Kosovë-Shqipëri kritikohet si populizëm

Deklarata e Hashim Thaçit për bashkim të Kosovës dhe Shqipërisë është kritikuar nga ekspertët, të cilët e quajnë atë një gjest aspak serioz, i projektuar kryesisht për ta mbajtur atë në qendër të vëmendjes.

Nga Përparim Isufi, Emirjeta VllahiuBirn

Në daljet publike të ditëve të fundit, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka lënë mënjanë deklaratat e zakonshme rreth nevojës për “korrigjime kufijsh” me Serbinë për t’u përqendruar në një tjetër opsion: bashkimi me Shqipërinë.

Të shtunën e kaluar, duke folur në Has në Shqipërinë e Veriut, ku u shpall “Qytetar Nderi”, presidenti i Kosovës i habiti të gjithë kur nisi të fliste për bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë.

“Shokë armësh që unë shoh në këtë pjesë të Shqipërisë, shokë armësh që jetoni në Kosovë, ne do të jetojmë së bashku në liri dhe së bashku në një të ardhme të afërt në një shtet të vetëm shqiptaro-kosovar,” tha ai.

“Do të jetë shumë më e lehtë të realizohet ëndrra e një hapësire pa kufij midis Kosovës dhe Shqipërisë sesa sfida e largimit të Serbisë nga Kosova. Dhe kjo do të ndodhë,” shtoi Thaçi.

Ideja e bashkimit pan-shqiptar ka qenë një nga fjalët kyçe të flasimeve të shpeshta të Thaçit gjatë ceremonive përkujtimore të shumë ngjarjeve që shënojnë 20 vjetorin e luftës së pavarësisë.

Të hënën, duke përkujtuar një betejë midis forcave serbe dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK, në Pashtrik, Thaçi shkoi më tej duke i kërkuar parlamenteve të Kosovës dhe Shqipërisë të ndërmarrin veprime.

“Janë krijuar rrethana të reja dhe zgjidhja më e mirë do të ishte që dy parlamentet e Kosovës dhe Shqipërisë të miratojnë deklaratat e dëshirës së njerëzve për të jetuar në një shtet të vetëm,” tha ai.

Ringjallja e një opsioni që historikisht ka qenë një “ëndërr” për shumë shqiptarë e ka kthyer Thaçin në qendër të debateve televizive në Kosovë dhe Shqipëri.

Thaçi r ka përshkruar unifikimin si një reagim natyror ndaj dështimit të procesit të integrimit në Bashkimin Europian, i cili ai thotë se e ka lënë Kosovën të izoluar padrejtësisht.

“Unë e mbështes këtë si një alternativë ndaj izolimit që BE-ja po i bën Kosovës,” tha Thaçi të enjten në një debat me analistët e Prishtinës dhe të Tiranës.

“Ne nuk mund të trajtohemi si njerëz të klasit të dytë. Pra, unë shoh përfundimisht një të ardhme më të mirë për bashkimin e shqiptarëve. Tani është një moment i artë për bashkim kombëtar. Jam gati të marr flamurin për këtë fushatë.”

Kryeministri i Kosovës dëshiron më parë më shumë bashkëpunim

Që nga vera e kaluar, kur ai prezantoi për herë të parë idenë e korrigjimeve kufitare me Serbinë si një mënyrë për të arritur një zgjidhje përfundimtare me Beogradin, Thaçi ka qenë nën kritika të vazhdueshme nga kundërshtarët e tij.

Kryeministri Ramush Haradinaj, një nga kundërshtarët më të fortë të korrigjimit të kufijve, nuk është i bindur për mundësinë e bashkimit të menjëhershëm me Shqipërinë.

“Ky është një projekt shekullor, por, në këtë fazë, mendoj se gjëja më e rëndësishme është thellimi i bashkëpunimit midis Kosovës dhe Shqipërisë dhe heqja e pengesave burokratike dhe administrative,” tha Haradinaj për gazetarët javën e kaluar.

Ai vuri në dukje se Shqipëria mund ta fillojë këtë duke hequr taksën pesë eurosh që i imponon shoferëve të Kosovës që përdorin “Rrugën e Kombit” Kosovë-Shqipëri.

“Do të ishte më mirë nëse do të vepronim në mënyrë konkrete dhe do të punonim për lidhje më të forta ekonomike,” sugjeroi Haradinaj.

Një problem tjetër është se Kushtetuta e Kosovës, e miratuar në qershor 2008, tre muaj pasi Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia, ndalon ndryshimet kufitare.

“Republika e Kosovës nuk do të ketë pretendime territoriale kundër, dhe nuk do të kërkojë asnjë bashkim me ndonjë shtet apo të jetë pjesë e ndonjë shteti,” thuhet në të.

Shqipëria është gjithashtu më pak e prirur. Kohët e fundit ajo mori një rekomandim pozitiv nga Komisioni Europian për të hapur bisedimet e pranimit për anëtarësimin në BE dhe nuk ka dëshirë të përfshihet në një debat polemik mbi bashkimin me Kosovën.

“Sigurisht, ne po përpiqemi të intensifikojmë bashkëpunimin tonë me Kosovën dhe me vendet e tjera në rajon,” tha të enjten ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Gent Cakaj.

Analistët nuk janë të habitur nga ideja e fundit e Thaçit.

“Sfidimi i dispozitave kushtetuese nuk është më një risi. Ai e ka bërë këtë shumë herë më parë,” tha analisti kosovar Imer Mushkolaj për BIRN, duke iu referuar advokimit të mëparshëm të korrigjimeve kufitare me Serbinë nga ana e Thaçit.

“Vitin e kaluar, Thaçi ishte kundër bashkimit kombëtar dhe tha se vizioni i Kosovës dhe Shqipërisë ishte për integrimin euroatlantik. Nuk e kuptoj se si, vetëm pak muaj pas kësaj deklarate, presidenti del me këtë ide,” tha Mushkolaj.

“Kjo mund të shihet si një lloj presioni ndaj Bashkimit Europian, por nuk e konsideroj serioze,” shtoi ai.

“Unë mendoj se kjo ide i dëmton të dy vendet, si Kosovën ashtu edhe Shqipërinë,” vazhdoi Mushkolaj.

Një “ëndërr” që ka gjasa të mbetet e tillë

Ish-ministri i jashtëm shqiptar Besnik Mustafaj tha për BIRN se Thaçi duhet të kuptojë ndryshimin midis dëshirave dhe premtimeve.

Mustafaj e pranoi se bashkimi me Shqipërinë ishte një “ëndërr më shumë sesa një shekullore”, por, sipas tij, ajo do të mbetet vetëm një ëndërr.

Ai hodhi poshtë idenë e “një Kosove të copëtuar dhe përgjysmuar” që bashkohet me Shqipërinë, “pa pjesën veriore të saj me shumicë serbe, pa burimet e saj ujore dhe minerare, pa Luginën e Preshevës në Serbinë jugore”.

Mustafaj beson se Thaçi e nisi këtë ide vetëm sepse plani i tij i mëparshëm, për korrigjimet kufitare me Serbinë, po venitet.

“Nëse është një dëshirë, nuk ka asgjë të keqe me këtë, por nëse ky është një projekt nga presidenti si një premtim, atëherë është një premtim populist që synon ta shpërqendrojë publikun nga projekti i tij i mëparshëm për një shkëmbim territori me Serbinë,” tha Mustafaj për BIRN.

Analisti kosovar Artan Muhaxhiri beson se Thaçi ka gjetur një mënyrë të lehtë, por të padobishme për të mbetur i pranishëm në politikën e përditshme.

“Me këto qëndrime jashtëzakonisht populiste, ai synon të shfrytëzojë emocionet sipërfaqësore patriotike, gjë e cila shkakton një ngritje afatshkurtër në vlerësimet e tij që zhduket menjëherë, sapo ngrihet një tjetër çështje e madhe,” tha ai për BIRN.

Muhaxhiri tha se ky stil politike nuk është shumë i pazakontë për Thaçin. “Edhe në të kaluarën, ai nuk hezitoi të premtonte ndryshime që ishin përtej mundësive të tij. Në vitin 2010, ai premtoi se Kosova do të hiqte regjimin e vizave me BE-në brenda 13 muajve,” kujton Muhaxhiri. Regjimi i vizave është ende në fuqi.

Sipas tij, në kontekstin aktual të Ballkanit, deklaratat rreth bashkimit të Kosovës dhe Shqipërisë dhe bashkimit me Luginën e Preshevës në Serbi, pa shkëmbyer ndonjë territor të Kosovës, janë “të pabesueshme, të pabazuara, jashtëzakonisht pretencioze dhe në kundërshtim të plotë me realitetin”.

“I vetmi justifikim për këto qëndrime është nëse ato konsiderohen si një kundërpeshë ndaj populizmit që vjen nga Beogradi, si pjesë e një “Beteje Populizmi”,” thotë ai.

Mustafaj gjithashtu mendon se Thaçi po mashtron njerëzit me deklaratat e tij më të fundit ambicioze dhe të parealizueshme.

“Në politikë, duhet të synoni maksimumin e asaj që është e mundur. Synimi për të pamundurën bëhet thjesht spekulim,” përfundoi ai.

SHKARKO APP