Del nga burgu Donika Kadaj-Bujupi…Si u arrestua Albulena Hahxiu!
Deputetja e AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi është liruar nga paraburgimi, sipas raporteve më të fundit nga Kosova. Ajo ishte deputetja e parë opozitare që ra në pranga, pasi një ditë më parë u raportua se ishte helmuar nga ushqimi në ambientet e paraburgimit. Mësohet se masa ndaj saj ka kaluar arrest shtëpiak.
Por prej dy ditëve një tjetër deputet e Kuvendit të Kosovës qëndron e izoluar.
Aktivistja Nazlije Bala që ishte me Albulena Haxhiun kur deputetja e LVV-së u arrestua, tregon detajet e këtij arrestimi.
Bala para Pallatit të Drejtësisë tha se Albulena Haxhiu u arrestua te rrethrrotullimi afër spitalit në Prishtinë, në orën 9 e 52 minuta, derisa po udhëtonin së bashku për një aktivitet të “Vetëvendosjes” në Gjilan.
Sipas Balës, pas ndalimit nga policia, Haxhiut dhe asaj u janë kërkuar letërnjoftimet dhe pastaj deputetes iu kërkua të dalë nga vetura.
Bala tha se kanë kërkuar që t’u tregohet fletë-arresti, ndërsa policia i ka thënë Haxhiut se do t’ia tregojnë fletë-arrestin në makinën e policisë.
“Ne e kemi kundërshtuar atë lloj arrestimi nga njësia speciale që thoshin se pasi të vish me neve ne veturë ta tregojmë fletë-arrestin, sepse pa fletë-arrest është kidnapim,” tha Bala.
Ajo tregoi se fletë-arresti u soll pas gjysmë ore.
Albulena Haxhiu pas arrestimit është dërguar në Pallatin e Drejtësisë ku është tentuar të merret në pyetje nga prokuroria në lidhje me dyshimet për hedhjen e gazit lotsjellës në njërën nga seancat e Kuvendit, por mësohet se nuk u përgjigjur asnjërës prej pyetjeve.
Albulena Haxhiu është arrestuar pak ditë pas kreut të Lëvizjes VETËVENDOSJE, Albin Kurti.
Pak orë pas arrestimit të saj, edhe një deputet tjetër i kësaj lëvizje, ka rënë në pranga.