Demarkacioni i mbetur pezull fiks prej një viti

Fiks një vit më parë, Isa Mustafa si kryeministër i Kosovës pati tërhequr nga rendi i ditës pikën për ratifikimin e marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi.

Atëkohë, ia lanë fajin Listës Serbe se, në këmbim të votës kërkonte kompromise, ndersa pati deklaruar se, po bëhet tërheqje për kohë më të përshtatshme, por që nuk u kthye asnjëherë në Kuvend, raporton KTV.

Një vit më pas, Kosova gjendet pa Kuvend të konstituuar e ai që synon të bëhet kryeministër si i nominuar nga PAN-i, Ramush Haradinaj, thotë se marrëveshja do të kthehet në pikën zero.

Sikurse Haradinaj edhe Vetëvendosje vazhdon të kundërshtojë formën e tillë të demarkimit të kufirit me Malin e Zi, ndersa kjo e fundit po negocion me LAA-në për të bërë numrat për krijimin e qeverisë së re.

Megjithatë, veç një takim është zhvilluar në këtë periudhë mes LAA-së e Vetëvendosjes dhe ende për diskutim nuk janë vënë temat e mëdha. Madje nga deklarimet e fundit të kryeministrit, mundësia për një bashkëpunim mes këtyre dy subjekteve mbetet e vogël. Por, nëse do të arrijnë të vazhdojnë takimet, Vetëvendosje do të diskutojë për shkollat e për QKUK-në para se të flasin për demarkacionin.

Ndërkohë, analistët thonë se kushdo që arrin të bëjë qeverinë e re, nuk mund të lëvizë nga marrëveshja aktuale.

Marrëveshja mes Kosovës e Malit të Zi për demarkimin e vijës kufitare ishte nënshkruar në gushtin e 2015-ës. Që prej shtatorit të 2015-ës, për më shumë se një vit, kundërshtimi i partive opozitare, atë kohë Vetëvendosje, AAK-ja e Nisma, ishte i fuqishëm brenda e jashtë Kuvendit, duke bërë që marrëveshja të mos arrinte të kalonte asnjëherë.

SHKARKO APP