Demarkacioni – Mustafa: Të lexohen dokumentet themelore të shpalljes së pavarësisë

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, shprehet se, të gjithë ata që po flasin për kufirin kanë nevojë të lexojnë dokumentet themelore të shpalljes së pavarësisë.

Në një postim në rrjetin social Facebook, Mustafa thekson se pavarësia nuk është shpallur mbi bazë të hartave të viteve 30-të, 40-të apo 50-të, por është shpallur mbi bazën e territorit që Kosova ka pasur në vijat kufitare të vitit 1988.

“Deklarata e Pavarësisë thotë si vijon:

Pika 1. Ne, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj Deklarate shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. Kjo shpallje pasqyron vullnetin e popullit tonë dhe është në pajtueshmëri të plotë me rekomandimet e të Dërguarit Special të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, dhe Propozimin e tij Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës.

Pika 8.

Kosova do të ketë kufijtë e saj ndërkombëtarë ashtu siç janë parashikuar në Aneksin VIII të Planit të Ahtisarit, dhe do të respektojë plotësisht sovranitetin dhe integritetin territorial të të gjithë fqinjëve tanë. Kosova, po ashtu, do të përmbahet nga kërcënimi apo përdorimi i forcës në cilëndo mënyrë që është jokonsistente me qëllimet e Kombeve të Bashkuara’.

Aneksi VIII i Planit të Ahtisarit , Neni 3, pika 3.2. thotë: 3.2. Territori i Kosovës do të përkufizohet nga vija kufitare e Krahinës Socialiste Autonome e Kosovës brenda Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë ashtu siç kanë qenë këto vija kufitare më 31 dhjetor 1988, përveç ndryshimit të vijës kufitare nga marrëveshja e demarkacionit në mes të Republikës Federative të Jugosllavisë dhe ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë më 23 shkurt 2001.

Është shumë e qartë se pavarësia nuk është shpallur në bazë të hartave të viteve të tridhjeta, të dyzeta apo të pesëdhjeta të shekullit të kaluar, por mbi bazën e territorit që Kosova ka pasur në vijat kufitare më 31 dhjetor të vitit 1988”, ka shkruar kryeministri Mustafa mbrëmë në ‘facebook’.

Kuvendi i Kosovës para pushimeve të verës mblidhet në seancë plenare në 4 gusht, por ende nuk e ka në axhendë demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, për të cilin një ditë më parë në ambientet e tij do organizohet një debat profesional-shkencor mes Komisionit shtetëror për Demarkacion dhe grupit të njohësve profesionistë për diskutim dhe ballafaqim faktesh për çështjen.

Sipas shtypit të sotëm kosovar, pesë profesorë universitarë të fushave të ndryshme do të ulen në 3 gusht përballë anëtarëve të Komisionit për caktimin e kufirit shtetëror, për të argumentuar se si Marrëveshja për demarkacion me Malin e Zi ia tkurrë territorin Kosovës. Edhe opozita do të jetë aty dhe ka në plan të rrisë rezistencën nëse nuk merren parasysh përfundimet e konferencës.

SHKARKO APP