Demarkacioni, vijueshmëri e proceseve politike të Kosovës
Nga Justina Shiroka Pula
Thonë se politika nuk ecën pas proceseve, por në rastin e demarkacionit ndodhi e kundërta. Ne lejuam oponentët që vijëzimi i kufirit me Malin e Zi të bëhet çështje politike, madje të shndërrohet në kauzë dhe në këtë mes ne tani po ecim pas proceseve.
Është një numër i madh i këshilltarëve te bartësit e institucioneve tona, por pak ishin ata që morën guximin të shkruajnë apo të bëjnë paraqitje publike për të fituar një betejë politike karshi opinionit. Vërtet nuk e di se çfarë bëjnë të tillët karshi gjendjes së krijuar dhe humbjes së betejës mediale. Fillet e së keqes fillojnë nga moskomunikimi ynë, së pari mes veti, e më pas me qytetarët që mos të lëmë hapësirë për të tjerët.
Dëshiroj që përmes këtij shkrimi t’i drejtohem deputeteve të Kuvendit të Kosovës dhe të tjerëve që kanë dilema për demarkacionin, por që konsideroj të jenë të ndikuar nga një kauzë e ngritur nga individë të caktuar e që u bënë kauzë opozitare. Kauza e disave që del nga xhelozia e të shkolluarve, konsideroj të shfaqet si tendencë e përjashtimit ose pavetëdijeshmëri lidhur me çështjet që tejkalojnë vetveten dhe në këtë mes kanë humbur fillin e problematikës, duke dëshiruar të merret me fundin, epilogun e problemit, gjersa tek fillimi mrizonin, nuk ishin askund.
Mendoj që problemi i kufijve të Kosovës, duke përfshirë edhe atë me Malin e Zi, do qëndrim politik, si një vijueshmëri e proceseve politike nëpër të cilat ka kaluar Kosova e fare pak qëndrim “ekspertor”.
Cili do të ishte reagimi i juaj apo përgjegjësia nëse në instancë të fundit edhe arbritrazhi ndërkombëtar vendos pro shenjëzimit, të cilin e ka vendosur komisioni qeveritar? Kush do t’i bartë pasojat e gjithë atyre lëndimeve të njerëzve në trazira, dëmet e mëdha në pasuritë publike e private, të shkatërruara apo djegura nga koktejet e molotovit, e mbi të gjitha, kohën e humbur dhe pozicionin politik karshi miqve tanë? Nëse në Kuvendin e Republikës së Kosovës projektligji për ratifikimin e marrëveshjes për shenjëzimin e vijës kufitare me Malin e Zi nuk kalon, ju deputetë të cilët mbani qëndrimin opozitar karshi kësaj çështje, si do ta “çlironi” atë pjesë të atij territori, duke e pasur të qartë qëndrimin e shteteve më mike të Kosovës, hisedare të shtetësisë së saj? Ndoshta me sharkia, me gaz lotsjellës apo me veprime simbolike të folklorit politik?
Deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, e veçanërisht ju me qëndrim opozitar karshi kësaj çështjeje, izolimi politik i Kosovës nga miqtë e këtij shteti që mund të vijë si pasojë e veprimeve tuaja, çka mendoni se na sjell? Ndryshim të gjendjes apo rikthim atje ku kemi qenë? Mos po mendoni se ecja vetëm në këtë proces e Kosovës do të na bëjë mirë, pasi mendoni se jemi bërë shtet i fortë dhe se nuk na duhen fare partnerët apo miqtë?
Nëse vijëzimi i kufirit sipas modelit të zonave kadastrale të komunave, të cilat e bëjnë shtetin e Kosovës, e të përcaktuara në Marrëveshjen e Kumanovës nga gjeneralët e shteteve më mike të Kosovës, vihet në pikëpyetje apo në negocim, siç po kërkoni, çfarë ndodhë nga ai pozicion i ri i Kosovës me kufirin me Serbinë? A mendoni se jemi të fortë dhe se të vetëm mund t’i mbrojmë këta kufij e që ju i përmendni modelet e demarkimit të kufijve në natyrë, gjeografik, historik, lumenjve, brigjeve të tyre apo majave të bjeshkëve?
A mendoni që trazirat dhe destabilizimi i vendit, i sjellin pozicione të favorshme vendit apo dënime dhe ngecje? Kujtoni trazirat e Marsit. A mendoni se Kosova është aq e fortë si shtet, ku si e vetme dhe pa miq ndërkombëtar mund t’ia del e rrethuar, sipas jush, me shtete armike fqinje? A keni menduar ndonjëherë se në aspektin gjeopolitik me qëndrimet tuaja po dëmtoni procesin e ridefinimit rajonal gjeopolitik, duke qenë kundër qëndrimit të SHBA-ve dhe aleatëve të saj?
Qëndrimi opozitar se metoda kadastrale nuk është praktikë për vijëzim të kufirit ndërshtetëror dhe se, sipas tyre, aty gjendet e keqja. Gjithsesi se është qasje e gabuar dhe se mashtrim i opinionit, pasi po del në sipërfaqe se pikërisht me anë të kësaj metode u bë vijëzimi i kufirit në të gjitha shtetet e krijuara të ish-Jugosllavisë.
Gjithashtu, opozita dhe të tjerët, thonë se komuna e Pejës nuk humb me këtë metodë asnjë metër hapësirë të tokës por shteti i Kosovës po. Vërtet ky konstatim i tyre nuk kuptohet asesi pasi konsideroj që nuk ka pronë pa titullar. Gjithashtu thonin se as komunat në shtetin e Malit të Zi nuk i kanë të evidentuar këto prona në regjistrat kadastral, por dëshmitë thonë të kundërtën.
Kosova e rinia e saj nuk e ka luksin për të humbur të ardhmen me veprime aventuriste, që i ngjasojnë gjelit mburravec të një politike të humbur./KOHA.net/