Dënohet me gjobë sepse denoncoi një rast korrupsioni

Një gjykatë në Kosovë ka dënuar një qytetar, i cili njoftoi mbi një rast korrupsioni. Bëhet fjalë për Abdullah Thaçin, nga Prizreni, i cili gjatë kohës që punonte në një bankë tregtare i është qasur pa të drejtë llogarisë së drejtorit të Arsimit komunal, Nexhat Çoçaj, për të dëshmuar se ai ka paguar kredinë me paratë publike dhe një pjesë të tyre e ka transferuar në llogarinë bankare të fëmijëve.

Gjykata Themelore në Prizren dënoi këtë të martë Abdullah Thaçin me një gjobë prej 5 mijë eurosh, të cilën ai është i detyruar ta paguajë në 5 këste mujore.

I akuzuari për veprën penale “zbulim i fshehtësisë zyrtare” e ka pranuar fajësinë dhe është penduar për veprimin e tij. Sipas aktakuzës, Abdullah Thaçi e kishte futur në një zarf gjendjen e llogarive të dy klientëve, të cilin më pas ia kishte dorëzuar Lëvizjes Vetëvendosje.

Para tri vitesh, Vetëvendosja i ka përdorur këto të dhëna për të ushtruar kallëzim penal ndaj zyrtarit komunal. Pikërisht për këtë rast, drejtori i Arsimit në Prizren, Nexhat Çoçaj, akuzohet për “keqpërdorim të detyrës zyrtare”.

Vendimi i sotshëm i gjykatës ka nxitur reagimin e njohësve të standardeve të krijuara nga Gjykata europiane për të Drejtat e Njeriut, e cila mbron të drejtat e informatorëve, apo siç njihen në anglisht “whistleblowers”, për të denoncuar dukuritë negative./ Top Channel

SHKARKO APP