Deportimi i 6 gylenistëve nga Kosova, Ramush Haradinaj raporton përpara Komisionit Hetimor

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka raportuar këtë të premte në Komisionin Hetimor parlamentar, lidhur me deportimin e gjashtë shtetasve turq në mars të këtij viti. Sikurse ishte njoftuar, seanca e komisionit nisi në orën 11: 00.

Haradinaj fillimisht ka kërkuar ndjesë për mosparaqitjen në thirrjen paraprake të komisionit. Më pas, përmes një materiali që paraqiti Haradinaj pasqyroi të tërë kronologjinë e datës 29 mars, kur u dëbuan nga Kosova 6 gylenistët. Haradinaj deklaroi se nga 11:15 deri në 12:26 është mbajtur mbledhja e Kryesisë dhe ka qenë pikërisht ai momenti kur është njoftuar nga një zyrtar diplomat përmes një telefonate për cështjen në fjalë.

Kryeministri kosovar u shpreh  më tej se më 29 mars i është drejtuar ministrisë të Punëve të Brendshme Flamur Sefaj dhe shefit të AKI-së Driton Gashi në mënyrë që ta njoftonin për arsyen se përse janë deportuar shtetasit turq, se ku ishin dërguar, si edhe për disa informata të tjera.

“Ka qenë obligim i ministrit Sefaj dhe drejtorit të AKI-së që të më njoftojnë paraprakisht për aksionin, e kanë pasur përgjegjësi. Vendimi për shkarkim të dyve është vendim i diskresionit të atij që ia ka dhënë besimi, që e jep kryeministri, njëkohësisht edhe për emërimin e drejtorit të AKI-së, gjysmën e vendimmarrjes e merr kryeministri. E duke pasur parasysh se ata duhej të raportonin te kryeministri, e kam shfrytëzuar të drejtën time duke i shkarkuar”, ka deklaruar Haradinaj.

Haradinaj shtoi se për shkarkimin e Sefajt dhe drejtorit të AKI-së ka patur edhe përkrahjen e presidentit Hashim Thaçi. I thirrur për të dëshmuar për dëbimin e 6 gylenistëve nga Kosova, ishte edhe presidenti Hashim Thaçi, por ky i fundit,  sipas medias kosovare “Express”, nuk ka marrë pjesë.

Gjashtë gylenistët nga Kosova u dërguan në Turqi më 29 mars përmes një operacioni të MIT-it me Agjencinë Inteligjente të Kosovës. Konkretisht bëhet fjalë për Cihan Ozkan, Kahraman Demirez, Hasan Husein Günakan, Mustafa Erdem, Osman Karakaya dhe Yusuf Karabina. Të përmendurit  konsiderohen si pjesëtarë të organizatës “FETO” të imamit Fetullah Gulen, i cili akuzohet nga presidenti turk Rexhep Tayyip Erdogan se është organizator i grushtit të shtetit në korrik të vitit 2016.

SHKARKO APP