Deputetët e Luginës së Preshevës: Beogradi të njohë diplomat e Kosovës

Dy deputetët shqiptarë në Parlamentin e Serbisë kanë kërkuar njohjen urgjente të diplomave të universiteteve të Kosovës. 

Një numër i madh i kuadrove të reja nga Lugina e Preshevës kanë mbaruar studimet e larta në Kosovë, por ata kanë ngelur pezull, për shkak të mosnjohjes së diplomave të tyre në Serbi.

Në kuadër të aktiviteteve të rregullta deputetët Shqiptarë në parlamentin qendrorë në Beograd iu drejtuan me shkrim kryetarit të Qeverisë serbe Aleksandar Vuçiq, pasi që paraprakisht iu kishin drejtuar edhe ministrit të arsimit Verbiq dhe ministrit të shëndetësisë Llonçar lidhur me probleme të ndieshme jetësore.

Në këto shkresa posaçërisht u kërkua zgjidhje urgjente për çështje të pazgjidhura lidhur me nostrifikimin e diplomave të univerziteteve të Kosovës si dhe për maternitetin e Preshevës që nuk po hapet edhe një vit pas rikonstruimit të objektit përkatës dhe furnizimit me pajisje të nevojshme.

Është e njohur se Gjykata Kushtetuese e Serbisë kishte shpallur joligjor vendimin e Qeverisë serbe të vitit 2012 të bazuar në marrëveshjen përkatëse të Brukselit. Edhe pse më vonë në nëntor të vitit të kaluar kjo qeveri ka aprovuar një vendim të ri për zgjidhjen e këtij problemi, nostrifikimi i diplomave të univerziteteve të Kosovës është ndërprerë sepse menjëherë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese është ndërprerë puna e zyrës SPARK që i koordinonte punët me Asociacionin e univerziteteve Evropiane.

Për këto arsye një numër i konsiderueshëm i të diplomuarëve në univerzitetet e Kosovës por edhe një numër i mjekëve, të cilët specializimet i kanë kryer në Kosovë, kanë aktualisht probleme shumë serioze për t’i realizuar të drejtat e tyre ligjore.

Kur dihet se problemi i diplomave të univerziteteve të Kosovës ishte rregulluar me marrëveshjen përkatëse në kuadër të dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë, deputetët iu drejtuan për këtë çështje të ndieshme edhe kryeministrit të Qeverisë së Kosovës Isa Mustafa si dhe ambasadorit të Delegacionit të Unionit Evropian, Michael Davenport.

Ndërsa nga kryeministri Vuçiq u kërkua që pos zgjidhjes së këtyre problemeve urgjente Qeveria serbe të fillojë t’i zgjidhë edhe problemet e ndieshme jetësore të përfshira me Programin e delegacionit të përfaqësuesve legjitim Shqiptarë të paraqitur qysh në fillim të vitit 2013”, ka shkruar në letrën e tij deputeti i Partisë për Veprim Demokratik, Riza Halimi. 

SHKARKO APP