Dështon për të 3 herë seanca, mungon koalicioni PAN

Sikurse edhe pritej ka dështuar për të tretën herë radhazi mbledhja e Kuvendit të Kosovës, e cila në rend të ditës kishte zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, çka do t’i hapte rrugë edhe krijimit të qeverisë së re.

Ka qenë koalicioni PAN i cili kishte paralajmëruar mospjesëmmarjen në seancën e sotme dhe për shkak të mungesës së tyre kreu i Kuvendit Adem Mikullovci ka ndërprerë punimet. Ai shtoi se në orët në vijim do të bëhet e ditur edhe data e vijimit të seancës konstitutive. Në sallë kanë qenë të pranishëm vetëm deputete nga Vetëvendosja dhe nga koalicioni LAA.

Përfaqësues të Vetëvendosjes dhe LAA-së, Glauk Konjufca dhe Avdullah Hoti, në fjalimin e tyre para përfundimit të seancës e kanë fajësuar PAN-in për, siç kanë thënë ata, bllokimin e formimit të institucioneve të vendit.

“Është seanca e katërt konstitutive që po dështon të mbahet për mungesë të pranisë së përfaqësuesve të PAN-it”, ka akuzuar ndër të tjerash, kryetari i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti. Sidoqoftë, tri herë radhazi deputetët e kuvendit të Kosovës dështuan ta konstituojnë kuvendin, ta zgjedhin kryetarin dhe kryesinë, në mënyrë që t’i hapet rruga formimit të qeverisë së Kosovës.

Nëse nuk mund të kalohet ky “ngërç”, që tashmë është krijuar në vend, sipas njohësve të proceseve politike, vendi mund të shkojë në zgjedhje të reja. Edhe ambasadorja gjermane në Kosovë, Angelika Viets, në një intervistë për DË, shprehu shqetësimin e saj për situatën e krijuar duke thënë, se “skenari më i mundshëm është një fazë e gjatë të mungesës së stabilitetit politik deri në zgjedhje të reja”.

 

SHKARKO APP