Dialogu Kosovë-Serbi, nesër takohen dy delegacionet në Bruksel
Dialogu teknik ndërmjet Prishtinës e Beogradit do të vazhdojë nesër në Bruksel, pas më shumë se një vit pauzë. Takimi ndërmjet dy delegacioneve, siç u njoftua, do të duhej të zgjaste tri ditë. Gjatë takimit pritet të bisedohet për zbatimin e marrëveshjeve të arritura, lirinë e lëvizjes, jurisprudencën, ndërsa mediet serbe thonë se do të bisedohet edhe për zbatimin e marrëveshjes për themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe.
“Pres që më 16 janar të fillojë takimi në Bruksel. Kemi filluar përgatitjet për atë takim”, ka thënë Avni Arifi, i cili të premten e shkuar është emëruar shef i delegacionit të Kosovës në pjesën teknike për dialog e Beogradin. Koha.net ka mësuar se në këtë takim do të marrin pjesë Avni Arifi, këshilltari i presidentit Hashim Thaçi, Ardian Arifaj dhe Blerand Stavileci. Delegacionin e Serbisë e udhëheq Marko Gjuriq, drejtor i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.
“Bashkimi Evropian pret nga të dyja palët që të angazhohen në mënyrë konstruktive në bisedime dhe të kenë qasje të orientuar kah rezultati”, ka thënë dje Kocijançiç për Novostin.