Dialogu Kosovë-Serbi, Vuçiç konfirmon zërat: Mund të ketë shtyrje të takimit në SHBA
Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiçi deklaroi se ende nuk ka zyrtare diçka ose diskutim por është një iniciativë që takimi i 2 shtatorit në Uashington ndërmjet Kosovës e Serbisë, të shtyhet për dy ose tre ditë.
“Pres të shoh se për çka bëhet fjalë dhe ju informoj”, ka thënë ai sot para mediave në Serbi. Gjithashtu ai ka thënë se do të mbrojë interesat e serbëve në këtë takim përkundër presioneve.
Ndërkohë, Telegrafi ka raportuar se takimi i paraparë më 2 shtator do të shtyhet për pak ditë.
Mediat kosovare pohojnë se takimi në fjalë nuk do të zhvillohet të mërkurën dhe është shtyrë për një datë tjetër.
“Nuk do të ketë takim më datën 2 shtator në Uashington. Shtyhet për një datë tjetër”, tha burimi. Telegrafi ka kontaktuar Zyrën e kryeministrit për një përgjigje, por sipas tyre deri tani nuk kanë diçka zyrtare. “Deri më tani nuk e kemi këtë informacion. Zyra e kryeministrit nuk është në dijeni për këtë anulim të takimit…”, tha Xhavit Beqiri, këshilltar i kryeministrit Avdullah Hoti.
Telegrafi i ka shkruar edhe Zyrës së ambasadorit Grenell dhe Zyrës së këshilltarit për Siguri, Robert O’Brien mirëpo deri tani nuk janë përgjigjur.
Takimi i 2 shtatorit ishte i planifikuar të mbahej në Shtëpinë e Bardhë, në mes të liderëve të Kosovës, kryeministrit Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç me ndërmjetësim të të dërguarit të presidentit amerikan për dialogun, Richard Grenell dhe këshilltarit për Siguri, Robert O’Brien.
Nëse ky takim nuk do të mbahet më 2 shtator, kjo do të jetë hera e dytë që takimi i planifikuar do të shtyhet për një datë tjetër. Ndërkaq, në muajin qershor ishte planifikuar takimi i parë në Ëashington, mirëpo ky takim nuk u mbajt pasi Prokuroria Speciale ngriti propozim aktakuzë ndaj presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, për të cilën çështje edhe kryeministri Avdullah Hoti anuloi pjesëmarrjes e tij në këtë takim.