Dialogu, Lajçak brenda qershorit në Prishtinë dhe Beograd
Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, brenda qershorit do të jetë në Prishtinë dhe Beograd për të diskutuar modalitetet për rinisjen e negociatave midis dy vendeve. Kjo vizitë e përfaqësuesit special është konfirmuar edhe nga zyrtarë të Brukselit.
“Koha e saktë dhe qëllimi i dialogut varen nga të dyja palët se si do të vendosin. Bashkimi Europian është i gatshëm që pa vonesa të rifillojë dialogun drejt normalizimit gjithëpërfshirës të marrëdhënieve mes dy vendeve. Në funksion të vënies së bazës dhe diskutimit mbi modalitetet me palët, përfaqësuesi special, Lajçak, ditët në vijim planifikon të realizojë një vizitë në rajon”, ka thënë zëdhënësi për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë në Komisionin Evropian, Peter Stano.
Gjithashtu, kërkesën për të nisur sa më parë dialogu midis Prishtinës dhe Beogradit, e ka shprehur edhe Richard Grenell, i dërguari i presidentit Trump për bisedimet Kosovë-Serbi.
Presidenti Thaçi u shpreh të hënën se Kosova është gati që të rikthehet në procesin e dialogut me Serbinë.
“Kosova e ka të qartë se çfarë kërkon në dialog, e kërkon njohjen reciproke dhe përshpejtim të rrugës për anëtarësim në Kombet e Bashkuara, tha Thaçi.
Edhe Presidenti serb Aleksandar Vuçiç, deklaroi se heqja e masave të reciprocitetit krijon hapësirë për dialogun me Kosovën. Ai tha se po e pret ardhjen e përfaqësuesit Special, Mirosllav Lajçak, në Beograd dhe Prishtinë pas zgjedhjeve të 21 qershorit në Serbi.
Unë kam hequr dorë nga disa iniciativa të mëdha dhe jam duke pritur për të parë se çfarë do të na propozohet – deklaroi Vuçiç.
Rikthimi i palëve në tryezën e negociatave bëhet pas heqjes së taksës nga ish-qeveria Kurti dhe tani heqjes së reciprocitetit nga qeveria Hoti. Serbia kishte kushtëzuar dialogun me heqjen e të gjitha pengesave. Por Serbia nuk e ka ndalur fushatën kundër pavarësisë së Kosovës.