Dialogu me Serbinë, ambasada Amerikane i përgjigjet Haradinajt

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj ditë më parë u shpreh i vendosur se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, nuk do të vazhdoi pa përfshirjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Lidhur me këtë fakt ka reaguar ambasada amerikane në Prishtinë. “Qeveria e Shteteve të Bashkuara vazhdon të mbështesë dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Ne do të punojmë nga afër me ekipin e Përfaqësueses së Lartë Mogherini lidhur me atë se si të ofrohet përkrahje më e fuqishme për procesin e dialogut”, ka thënë ambasada, shkruan Insajderi.

Ndërkaq ditë për parë, Haradinaj ishte shprehur i vendosur që dialogu mes dy vendeve nuk do të mund të zhvillohet pa prezencën e Amerikës në tavolinë. “S’mund të vazhdojmë në dialog nëse s’është Amerika në tavolinë”, tha Haradinaj në Rubikon. Kërkesën e njëjtë për përfshirjen e SHBA-ve në dialogun Kosovë – Serbi kishte propozuar edhe presidenti i vendit, Hashim Thaçi.

“Involvimi i SHBA-ve do t’i jepte këtij dialogut një kuptim të ri, do t’i jepte një dinamik dhe një siguri për sukses të këtyre rrethane të re të krijuara”, deklaroi Thaçi para disa dite. Madje ai në një takim Nju Jork, me ushtruesen e Detyrës së Ndihmës-Sekretares për Çështje Evropiane, Elisabeth Millard, dhe Zëvendës-Ndihmësin e Sekretarit amerikan të Shtetit, Hoyt Brian Yee e kishte cilësuar si të domosdoshme përfshirjen e SHBA-ve në fazën përfundimtare të dialogut.

“Përfshirja direkte e SHBA-së në këtë fazë përfundimtare është e domosdoshme për të siguruar një marrëveshje përfundimtare të pranueshme dhe të zbatueshme për të dy palët e cila do të forcoj paqen dhe stabilitetin ne rajon dhe me gjerë”, thuhej në një njoftim nga zyra e presidentit. Ndërkaq, Lëvizja Vetëvendosje ishte shprehur kundër përfshirjes së SHBA-ve në dialogun siç e quanin të padrejtë për Kosovën. Rexhep Selimi deputet nga ky subjekt politik kishte deklaruar se Kosova nuk duhet t’i shfrytëzojë miqtë e saj për dialogun me Serbinë. “SHBA-të janë pjesë e përhershme në rrugëtimin e shtetbërjes së Kosovës. Por, Qeveria e Kosovës nuk duhet që miqtë e saj t’i shfrytëzojë për dialogun e padrejtë me Serbinë”, kishte deklaruar ai.

 

 

SHKARKO APP