Dialogu Prishtinë – Beograd pa marrëveshje
Disa orë bisedime në Bruksel mes përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë nuk prodhuan ndonjë marrëveshje. Të gjitha palët dolën me qëndrime të ndryshme nga takimi i ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian. Takimi i radhës mes udhëheqësve të të dy vendeve do të mbahet më 6 shtator, po në Bruksel.
I dërguari i posaçëm i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajcak njoftoi se bisedimet në Bruksel në nivel ekspertësh nuk ishte të lehta, por ato paraqesin një hap përpara për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.
Bisedimet midis Lajcak-ut, përfaqësuesit të Kosovës Skënder Hyseni dhe atij të Serbisë Marko Đurić zgjatën disa orë.
“Bisedimet nuk ishte të thjeshta, por ato hodhën bazën dhe një hap përpara për qëllimin përfundimtar të dialogut midis Prishtinës dhe Beogradit, që është normalizimi i marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës,” tha Lajcak-u.
Ndryshe nga optimizmi i zyrtarit europian, koordinatori shtetëror i Kosovës për dialogun me Serbinë, Skender Hyseni tha se pala serbe u tregua jokonstruktive në bisedime.
“Serbia u përpoq të rihapë kapituj të caktuar të marrëveshjes gjithëpërfshirëse, mbi të cilët kemi pasur një marrëveshje në parim. E gjithë kjo konfirmon shqetësimin tim, të cilin unë e kam shprehur tashmë, se Serbia synon të zgjasë procesin, dhe të vendosë në tryezë çështje që kanë vetëm një qëllim, të vonojnë procesin”, tha Hyseni në fund të takimit.
Ndërsa, kreu i delegacionit serb në bisedime, Marko Gjuriç, i cilësoi si teknike bisedimet, duke thënë se palët kanë diskutuar “për të pagjeturit dhe zhvendosurit brenda Kosovës, si dhe çështje ekonomike”.
“Ne sot luftuam këtu për interesat serbe përmes zgjidhjes së problemeve për çështjet jetike të njerëzve të zakonshëm, dhe çështja jetike e popullit tonë në Kosovë është të zbulojmë fatin e mbi 500 serbëve”, tha Gjuriç.
Takimet midis Kosovës dhe Serbisë do të vazhdojë më 6 qershor në Bruksel me pjesëmarrjen e kryeministrit Avdullh Hoti dhe presidentit serb Aleksandar Vucic.
Më pas pritet një tjetër takim në Uashington i ndërmjetësuar nga Këshilltari për Sigurinë Kombëtare Robert O’Brian dhe i dërguari i presidentit Trump për dialogun, Richard Grenell.