Dita e dëshmorëve të Deçanit, Haradinaj: Lufta e UÇK nuk mund të njolloset

Lufta e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës ishte e drejtë dhe e domosdoshme dhe cilido që përpiqet ti veshë dimensione të reja, del kundër të vërtetës. Kështu u shpreh kryetari I Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj gjatë homazheve tek lapidari i dëshmorëve në Gllogjan, me rastin e Ditës së Dëshmorëve të Deçanit.

“Kushdo që provon luftës së nevojshme, luftës së drejtë, luftës së pastër të UÇK-së me i dhënë dimensione të tjera, çfarëdo qofshin ato, është i dështuar sepse del kundër të vërtetës, një të vërtete që e din populli, që e din bota”, deklaroi ai.

Haradinaj shtoi më tej se shqiptarët por edhe shtetet tjera liridashëse do të krenohen gjithmonë me luftën e pastër të UÇK-së.

“Në një ditë si kjo, kryesorja me e thënë është që rruga jonë ishte e nevojshme ose e pashmangshme, sepse ndodhin luftëra për shumë arsye, por lufta jonë ishte për një arsye të vetme, sepse ishim të shtypur, ishim të rrezikuar me jetë, me shfarosje dhe ishim të detyruar të mbrohemi. Pra,  me luftu, me u mbrojtë, me u çliru, kjo është e vërteta e luftës së UÇK-së, kjo ushtri e lavdishme me të cilën shqiptarët do të krenohen përjetë por, edhe popujt e tjerë liridashës, edhe aleatët tonë të NATO-s, të cilët na u bashkuan në luftën tonë për liri.”

Komuna e Deçanit mbajti një seancë solemne në nder të të rënëve,  duke vazhduar me homazhe pranë çdo varri dhe lapidari të dëshmorëve të Kosovës.

SHKARKO APP